
Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth ka hyrë në ditën e shtatë, ku Fadromat e IKMT-së, të mbështetura nga forcat e rendit, vazhdojnë shembjen e objekteve.
Deri tani, janë prishur rreth 70 objekte pa leje, dhe aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Situata në terren mbetet e qetë për momentin, por tensionet janë të pranishme. Para Kishës së Thethit, që është një simbol i zonës, u mblodh “Kuvendi i Burrave”, takim i cili pati si fokus diskutimin mbi aksionin dhe pasojat e tij për banorët e zonës.
Banorët e Thethit janë të shqetësuar për të ardhmen dhe bujtinave të tyre, teksa kërkojnë një zgjidhje nga qeveria për të ndaluar aksionin dhe për të krijuar mundësi për legalizimin e ndërtimit të bujtinave, si pjesë e paketës për zhvillimin e turizmit malor.
Ata kërkojnë më shumë informacion dhe mundësi për të marrë pjesë në këtë iniciativë. Prifti i Thethit ka bërë një thirrje për dialog mes autoriteteve dhe banorëve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së harmonisë dhe bashkëpunimit për një zgjidhje të qëndrueshme, shkruan Euronews.
Po ashtu, Arqipeshkvia Metropolitane e Shkodrës ka dalë në mbështetje të banorëve të zonës, duke u angazhuar për mbrojtjen e mjedisit dhe të drejtat e tyre në këtë proces. Reagimi i kishës ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së natyrës dhe të traditave të Thethit.
Tensionet vazhdojnë të jenë prezente, pasi ndodhin edhe përplasje herë pas here mes banorëve dhe forcave të rendit.