Hedhja poshtë e vendimit- Gjykata Supreme e cilëson si ministër të jashtëligjshëm Muratin, e njeh si “deputet” - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Hedhja poshtë e vendimit- Gjykata Supreme e cilëson si ministër të jashtëligjshëm Muratin, e njeh si “deputet”

    Insajderi
    15 July 2025 - 17:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Supreme ka hedhur poshtë një udhëzim administrative të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për çështjen e arkave fiskale.

    “Në përputhje me nenet 28 dhe 29 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat përcaktojnë se mandati i Qeverisë përfundon me përfundimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit, si dhe se mandati i anëtarëve të Qeverisë përfundon në rast të zgjedhjes së tyre si deputetë të Kuvendit, gjykata vlerëson se ministri në detyrë përgjegjës për nënshkrimin e aktit nënligjor normativ të kontestuar i ka përfunduar mandati dhe përkatësisht ka qenë ministër në dorëheqje në momentin e nënshkrimit, përkatësisht publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim, shkruan Insajderi.

    Supremja po ashtu përkujton se Ligji për Qeverinë, neni 31, përcakton se qeveria në dorëheqje është autorizuar të kryejë vetëm aktivitete të domosdoshme.

    “Gjithashtu, në referim të kufizimeve të përcaktuara me nenin 31 të Ligjit në fjalë, Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”, thuhet tutje në vendim.

    “Në të njëjtën kohë, Udhëzimi Administrativ nr. 01/2025, është nxjerrë pa miratimin e Qeverisë, në shkelje të nenit 11 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë, i cili përcakton kompetencat e ministrive për propozimin e akteve nënligjore normative me karakter të përgjithshëm për miratim nga ana e Qeverisë”.

    Po ashtu, Supremja e njeh Muratin vetëm si deptuet.

    “Ministri i Financave ka qenë në pozitë të papajtueshme funksionale në kohën e nënshkrimit, duke qenë i certifikuar si deputet në shkelje të neneve 70.2 dhe 71 të Kushtetutës, të cilat ndalojnë ushtrimin paralel të funksioneve ekzekutive dhe legjislative, si dhe parimin e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve të përcaktuar në Kushtetutë”.

    “Gjykata nuk ka arsyetuar pretendimet e tjera, duke konsideruar se mungesa e autorizimit ligjor në rastin konkret si dhe konflikti i interesit për nënshkrimin e një akti nënligjor normativ, për arsyet e lartë theksuara ishin të mjaftueshme për aprovimin e kërkesëpadisë së paditësve, shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e aktit të kontestuar. Nga ana tjetër, pala e paditur nuk ka paraqitur asnjë dëshmi relevante që të vërtetojë pretendimet e saj apo të kundërshtojë argumentet e palës kundërshtare”. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark