
Gjykata Supreme ka kundër-reaguar pas një reagimi të Qeverisë në detyrë përmes kanaleve zyrtare të institucionit lidhur me vendimin e kësaj të parës për udhëzimin administrative për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike, sisteme dhe softuerëve elektronikë fiskalë.
“Prishtinë, 16 korrik 2025 – Gjykata Supreme e Kosovës shpreh keqardhje për reagimin tendencioz të Qeverisë në detyrë, ndaj aktgjykimit të saj; P.A.nr.09/2025, përmes të cilit shfuqizohet Udhëzimi Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë”, thuhet në reagim, shkruan Insajderi.
“Reagimi i Qeverisë në detyrë, përbën, jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore, por njëkohësisht një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit. Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, vijon reagimi.
Siç thotë Supremja, “çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje autoritetin e gjykatës dhe legjitimitetin e vendimeve të saj, përmes deklaratave politike, cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”.
“Gjykata Supreme do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e saj në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, duke garantuar zbatimin e ligjit”. /Insajderi.org/