IKD: Hekuran Murati rrezikoi sigurinë e gjyqtarëve të Supremes - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    IKD: Hekuran Murati rrezikoi sigurinë e gjyqtarëve të Supremes

    Insajderi
    16 July 2025 - 14:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një reagimi për media, e konsideron të papranueshëm reagimin e Qeverisë në detyrë kundër aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës me të cilin është vendosur se Udhëzimi Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, është i paligjshëm dhe ka vendosur për shfuqizimin e tij.

    IKD thotë se reagimi i qeverisë përbën ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve.

    “Kundërshtimi publik i një aktgjykimi të instancës më të lartë të gjykatave të rregullta nga pushteti ekzekutiv, jo vetëm që përbën ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, por është shkelje flagrante e parimit të ndarjes së pushteteve, që është themeli i rendit kushtetues në një shtet demokratik, duke cenuar po ashtu integritetin e gjyqësorit dhe duke nxitur mosbesim institucional”, thuhet në reagimin e IKD.

    IKD e cilëson qasje të rrezikshme ministrit Hekuran Murati, duke etiketuar gjyqtarët e Gjykatës Supreme me emër dhe mbiemër.

    “Kjo qasje përveç që cenon integritetin e sistemit gjyqësor, përbën rrezik edhe për sigurinë individuale të gjyqtarëve të përmendur”, thekson IKD.

    “Reagimet e Qeverisë në detyrë dhe anëtarëve të tjerë të saj, përbëjnë një presion të panevojshëm ndaj gjyqësorit, që cenon pavarësinë institucionale dhe përpjekjet për ndërtimin e një drejtësie të paanshme. IKD rikujton se besimi në sistemin gjyqësor ndërtohet me respektimin e vendimeve të tij, jo me delegjitimimin publik nga zyrtarët politikë.Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Supreme krijon një precedent të rëndësishëm për të ndalur ndërhyrjet politike në vendimmarrjen administrative dhe për të vendosur një standard të ri në respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve në praktikë”, shton komunikata.

    IKD thekson se Gjykata Supreme me të drejtë ka vendosur se nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark