A duhet ta zëmë hundën kur hidhemi në ujë? Rregulli i rëndësishëm 5-sekundësh që pak e njohin - Insajderi
×
  • LifeStyle
  • LifeStyle

    A duhet ta zëmë hundën kur hidhemi në ujë? Rregulli i rëndësishëm 5-sekundësh që pak e njohin

    Insajderi
    16 July 2025 - 17:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ja pse nuk duhet ta teproni me teknikën e zënies së hundës

    Në verë, kur noti dhe kërcimi në ujë bëhen pjesë e përditshmërisë, shumëkush nuk mendon për rreziqet që mund të sjellë presioni i ujit. Por a e dini pse disa i zënë hundët para se të hidhen?

    Kur hidhemi në ujë, sidomos nga lartësi, trupi përjeton një ndryshim të menjëhershëm të presionit, i cili ndikon veçanërisht tek sinuset dhe veshi i mesëm. Nëse ky presion nuk barazohet si duhet, mund të shkaktojë dhimbje, gjakderdhje apo edhe dëmtim të daulles së veshit.

    Ky fenomen, i njohur në mjekësi si barotrauma, është i zakonshëm te zhytësit dhe notarët, paralajmëron Divers Alert Network (DAN), një organizatë ndërkombëtare për sigurinë në sportet ujore.

    Pse e zëmë hundën para se të hidhemi?

    Shumë njerëz instinktivisht e zënë hundën dhe fryjnë lehtë për të barazuar presionin. Me këtë veprim hapet tuba e Eustakiut (kanali që lidh fytin me veshin e mesëm) dhe lejohet kalimi i ajrit, duke ulur rrezikun e dëmtimit.

    Kjo teknikë përdoret ende sot në kurset bazë të zhytjes, konfirmon DAN në udhëzuesin e vet për barazimin e presionit, transmeton Telegrafi.

    Edhe kjo metodë ka rreziqe

    Megjithëse e dobishme, mund të bëhet e rrezikshme nëse përdoret gabimisht. Fryrja shumë e fortë ose më gjatë se 5 sekonda mund të dëmtojë veshin e brendshëm, paralajmëron DAN. Përveç kësaj, kjo metodë nuk aktivizon muskujt natyralë të gëlltitjes dhe mund të jetë më pak efektive për disa persona.

    Këshilla të rëndësishme për t’u hedhur në ujë

    ▪ Barazoni presionin sapo të ndieni edhe presionin më të vogël — më së miri çdo 0.5 metra thellësi.

    ▪ Shmangni hedhjen në ujë nëse keni hundë të bllokuar apo infeksion të sinuseve, pasi kjo e vështirëson barazimin dhe mund të sjellë pasoja të dhimbshme, thekson Mayo Clinic.

    ▪ Para hedhjes ose zhytjes, mund të përdorni solucione fiziologjike të buta sipas këshillës së mjekut.

    ▪ Nëse keni vështirësi për të barazuar presionin, mos e detyroni veten — ndaloni dhe provoni sërish më vonë.

    Pra, në fund: a duhet ta zëmë hundën apo jo?

    Po, por me kujdes dhe pa e tepruar. Është një teknikë bazë për barazimin e presionit dhe parandalimin e barotraumes. Megjithatë, për më shumë siguri dhe rehati, mund të mësoni edhe metoda të tjera që japin rezultate të ngjashme ose më të mira, me më pak rrezik dëmtimi.

    Një kujdes i vogël para se të hidheni në ujë mund të parandalojë dëmtime të panevojshme dhe t’ju lejojë të shijoni verën pa shqetësime.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark