
Koordinatorja e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, është ndarë e pakënaqur me vendosjen e flamurit të kompanisë NOA pranë bankës së grupit parlamentar të partisë që përfaqëson, kompani kjo e cila importoi në vlera rekorde energji elektrike në Kosovë.
Mihali me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ pretendoi se sa herë që ka aksione kundër Serbisë, duke iu referuar arrestimit të eprorit policor Bojan Jevtic për spiunazh, dikush nga Partia Demokratike e Kosovës ose Lidhja Demokratike e Kosovës ndërmerr veprime kundër Kurtit, shkruan Insajderi.
“Sot u kujtuan për “NOA”, kompaninë që shokë e mbështetës i ka vëllezërit e Hashim Thaçit, Sami Lushtakun e me radhë. Që është klient i KEDS/KESCO, pra LIMAK-ÇALIK, për të cilët pas 2013-s, kur e privatizuan rrjetin e distribucionit të KEK-ut, flitej në të gjithë Kosovën se ia jepnin “tallin” njerëzve të PDK-së, e deri te ish-Kryeministri i PDK-së, dhe që i kryenin bashkë veprimtaritë me Devollët derisa u bënë gati edhe me ia kaluar kompanitë në pronësi. Kjo praktikë vazhdoi edhe kur zonja në fjalë ishte Ministre e Tregtisë në qeverinë Thaçi – Mustafa“, ka deklaruar Mihali pos tjerash.
“Ne kemi bërë denoncimin për NOA dhe të gjithë “noat” në institucionet përgjegjëse. Edhe KEDS/KESCO, pra LIMAK-ÇALIK, do ta marrin përgjigjen dhe ligjore, sepse kanë dëmtuar Kosovën. Po ku janë këta, klasa e vjetër dhe e vjetëruar, emrat e çdo qeverie para 2021-it, e çdo tryeze ku u shit Kosova dhe të mirat e saj, ku janë këta?“, vijon ajo.