
Presidentja Vjosa Osmani, tha se në fund të muajit maj kanë marrë informacione “specifike” nga strukturat e sigurisë të Kosovës lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën.
Ajo tha se pas marrjes së këtyre informatave ka takuar institucionet e sigurisë në vend dhe ka informuar e ka kërkuar mbështetje nga aleatët e sigurisë.
“Në të gjitha takimet përgjatë vizitës kemi folur edhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë. Siç e dini të gjithë gjatë vizitës sime në SHBA kam deklaruar se Serbia ka pasë për qëllim dhe ka ende për qëllim që të destabilizojë situatën në gjithë rajonin tonë dhe të përshkallëzojë situatën në Kosovë. Ky vlerësim është bërë mbi bazën e informatave të vazhdueshme që ne si institucione i marrim nga institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës. Më konkretisht, në fund të muajit maj kemi marrë informacione të reja specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informatave kemi pasë takime me institucione të sigurisë të cilat me raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo isntitucion në Kosovë ka mobilizimin e duhur për mbrojtjen e vendit”.
Osmani tha se këto informata i ka ndarë me aleatët në përpjekje për ndaljen e përshkallëzimit të planifikuar të Serbisë.
“Po ashtu, menjëherë kam ndarë këto informata me aleatët tonë të sigurisë, duke kërkuar mbështetjen e tyre për të ndalë përshkallëzimin e planifikuar nga ana e Serbisë. Prandaj, gënjeshtrat e Serbisë se kinse ajo nuk ndërmerr hapa destabilizues janë pjesë e propagandës së tyre”.