
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, i ka dërguar një mesazh të qartë drejtuesve të klubit: nuk ka më vend për mesfushorë të rinj, shkruan Mundo Deportivo.
Gjermani beson se mesfusha është tashmë e mbipopulluar dhe nuk dëshiron që klubi të bëjë ndonjë afrim tjetër në këtë repart gjatë verës.
Në vend të kësaj, Flick kërkon përforcime në mbrojtje dhe në krahët e sulmit, veçanërisht një mbrojtës të majtë dhe një sulmues të majtë.
Aktualisht, Barcelona ka në dispozicion një numër të madh mesfushorësh cilësorë: Pedri, Dani Olmo, Fermin, Marc Casado, Gavi, Frenkie de Jong dhe Marc Bernal – të gjithë duke luftuar për vetëm tre pozita titullari.
Kjo situatë nënkupton që në çdo ndeshje, katër mesfushorë cilësorë do të mbeten në stol, diçka që Flick nuk e sheh të nevojshme, përkundrazi – si një luks të tepërt.
Trajneri kërkon balancë në skuadër dhe më shumë konkurrencë në repartet ku Barça është më e brishtë, veçanërisht pas largimeve dhe dëmtimeve që kanë goditur krahët e mbrojtjes dhe të sulmit.