
Një aksident i frikshëm ka tronditur mëngjesin e së enjtes në aksin Tapizë–Fushë-Krujë, ku dy automjete luksoze janë përplasur me forcë, duke lënë pas tre të plagosur rëndë dhe makina të shkatërruara.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00.
Një Audi sportiv dhe një Mercedes janë përplasur në rrethana që ende po hetohen.
Siç shihet edhe nga pamjet, automjeti sportiv është copëtuar nga goditja, ndërsa një nga të plagosurit ndodhet i shtrirë përtokë, në pritje të ndihmës mjekësore.
Në automjetin e parë ndodhej 28-vjeçari E. H., i cili udhëtonte së bashku me një pasagjer, 30-vjeçarin S. H. Mjeti tjetër drejtohej nga një i ri vetëm 19 vjeç, me inicialet K. D.
Të tre të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po marrin trajtim të specializuar. Gjendja e tyre shëndetësore është raportuar si e rëndë.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa fati i të rinjve mbetet ende i paqartë.