Bajrami fton organet e drejtësisë të veprojnë: Deputetët e VV-së po kryejnë vepra penale - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Bajrami fton organet e drejtësisë të veprojnë: Deputetët e VV-së po kryejnë vepra penale

    Insajderi
    18 July 2025 - 17:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që njëkohësisht mbajnë poste ekzekutive si ministra në detyrë, duke kërkuar ndërhyrje të institucioneve të drejtësisë. Përmes një postimi në Facebook, ajo ka ngritur akuza për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës nga ana e zyrtarëve të VV-së.

    Ajo deklaroi se “duke e bllokuar Kuvendin e Kosovës, duke rënduar jetën e qytetarëve për çdo ditë, deputetët e Vetëvendosjes po sfidojnë rendin ligjor e kushtetues të Kosovës”.

    Sipas saj, këto veprime përbëjnë shkelje të qarta ligjore, por në vend se të përballen me pasojat, ata po zhvillojnë një “fushatë të viktimizimit dhe propagandës se gjyqësori po përgatit arrestimin e ‘ministrave’ në llogari të partive tjera”.

    Ky është postimi i saj i plotë:

    Disa sqarime për deputetët që po kryjnë vepra penale duke mbjtur të uzurpuara pozitat qeveritare

    E para, lëndë në Gjykatë Kushtetuese mund të dërgojnë vetëm deputetët që kanë fituar mandatin, që janë certifikuar, që janë betuar dhe që VOTOJNË në Parlamentin e Kosovës.

    E thjeshtë, nëse nuk je deputet nuk mund votosh në Parlament.

    Ligji dhe Kushtetuta e kanë kufizuar ndërsa Gjykata Supreme e ka sqaruar përfundimisht se deputeti nuk mund të jetë në dy funksione.

    E dyta, Kushtetuta në nenin 70 e thotë se mandati i deputetit fillon në ditën kur certifikohen zgjedhjet. S’je deputet nëse s’ke bërë betim, s’mund të jesh deputet nëse je i emëruar anëtar i Qeverisë.

    E treta, Neni 26 i Ligjit për Qeverinë e thotë qartë se “Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”.

    E katërta dhe po aq e rëndësishme: Qeveria në dorëheqje NUK lejohet të miratojë as STRATEGJI dhe madje as KONCEPT DOKUMENT.

    Pra, me Ligj që e kanë miratuar e hartuar vetë, e kanë ndalu të miratojnë dokumente që janë më pak të rëndësishme se aktet ligjore e nënligjore.

    Duke e bllokuar Kuvendin e Kosovës, duke rënduar jetën e qytetarëve për çdo ditë, deputetët e Vetëvendosjes po sfidojnë rendin ligjor e kushtetues të Kosovës.

    Duke e ditur se po shkelin ligjet dhe kushtetutën dhe rrjedhimisht po kryejnë vepra penale kanë nisur fushatën e viktimizimit dhe propagandës se gjyqësori po përgatit arrestimin e “ministrave” në llogari të partive tjera.

    U bëj thirrje edhe një herë organeve të drejtësisë të veprojnë, të zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën dhe të vlejë parimi për të gjithë: ASKUSH MBI LIGJIN!


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark