Ndërtim ilegal në zemër të Prishtinës – avokati: Pushtetarët e Komunës kanë zgjedhur të negociojnë me uzurpatorin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ndërtim ilegal në zemër të Prishtinës – avokati: Pushtetarët e Komunës kanë zgjedhur të negociojnë me uzurpatorin

    Insajderi
    18 July 2025 - 19:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në një reagim në llogarinë e tij në Facebook, avokati Besnik Berisha ka ngritur shqetësime serioze lidhur me një mbindërtim ilegal në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, duke akuzuar autoritetet komunale për heshtje të qëllimshme dhe kompromis të dëmshëm institucional.

    Sipas Berishës, ndërtimi në fjalë është bërë pa asnjë bazë juridike dhe përbën rrezik real për sigurinë publike. Ai thekson se këtë rast e ka denoncuar prej vitesh, por në vend të veprimit, institucionet kanë zgjedhur të negociojnë me personin që ka uzurpuar pronën publike.

    “Fushata të bën me i mbyll sytë. Të detyron ndoshta edhe me u korruptu. Përndryshe, nuk ka mënyrë tjetër si me u justifiku kjo heshtje dhe ky tolerim i turpshëm”, ka shkruar Berisha.

    Ai shprehet i indinjuar se ndërtimi ka nisur në mes të ditës, në praninë e inspektorëve komunalë që nuk kanë ndërhyrë, ndonëse janë të paguar për ta ndalur një shkelje të tillë.

    “Pas këtyre ‘negociatave’, kush e di me çfarë kosto, sot paska nisur ndërtimi mbi një mbindërtim të paligjshëm… Heshtja e tyre flet. Kompromisi i tyre është i dëmshëm”, shkruan më tej Berisha.

    Ai e ka cilësuar këtë zhvillim si një “film të keq”, duke e përshkruar situatën si dështim institucional dhe zhbërje të ligjit.

    Ky është postimi i tij i plotë:

    Fushata të bën me i mbyll sytë. Të detyron ndoshta edhe me u korruptu. Përndryshe, nuk ka mënyrë tjetër si me u justifiku kjo heshtje dhe ky tolerim i turpshëm.

    Për korrektësi: këtë mbindërtim pa leje në pronë publike, në zemër të Prishtinës, në sheshin “Nënë Tereza”, e kam denoncuar personalisht prej vitesh. Këtë e kam bërë jo vetëm për shkak të mungesës së çdo baze juridike, por sepse përbën rrezik real për sigurinë publike.

    E megjithatë, përkundër denoncimeve publike dhe institucionale, pushtetarët e Komunës së Prishtinës kanë zgjedhur të negociojnë me uzurpatorin, e jo të mbrojnë pronën publike dhe qytetarët.

    Pas këtyre “negociatave”, kush e di me çfarë kosto, sot paska nisur ndërtimi mbi një mbindërtim të paligjshëm, në mes të ditës, në sy të inspektorëve që paguhen për ta ndalur këtë. Heshtja e tyre flet. Kompromisi i tyre është i dëmshëm.

    Film i keq. Dështim institucional. Zhbërje e ligjit. Nuk ka si quhet ndryshe.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark