
Igor Popoviq, i cili është ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovë’’ në Serbi, është arrestuar nga Policia e Kosovës. Arrestimi i tij erdhi pasi që i njëjti, gjatë një fjalimi të mbajtur sot në Rahovec, ka përdorur gjuhë të ashpër kundër UÇK-së.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar pas arrestimit të tij.
Petkoviq ka thënë se “në vend që të arrestojë terroristët që kanë bërë të këqija ndaj popullit serb, autorët e krimeve në Rahovec dhe në gjithë Kosovën, Albin Kurti arreston bashkëpunëtorin tim dhe të guximshmin, Igor Popoviq, sepse në përkujtimin në Rahovec ka thënë të vërtetën për UÇK-në kriminale dhe për vuajtjet e serbëve!”.
Ai shtoi se “prangat nuk do ta fshehin të vërtetën për krimet e UÇK-së!”, duke akuzuar Kurtin për veprime të motivuara politikisht ndaj serbëve në Kosovë.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka konfirmuar arrestimin e Igor Popoviqit.
Ai tha se Popoviq është ndaluar në pikën kufitare në Bërnjak, dhe se i njëjti më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut.
‘‘Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Serbi, ka mbajtur sot një fjalim në Rahovec. Deklarimet e tij gjatë fjalimit kanë nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vendin tonë. Ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore. Për këtë shkak, zyrtari i Qeverisë së Serbisë është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi në vendin tonë’’, ka shkruar ai.