
Kuvendi i Kosovës për të 49-ën herë sot nga ora 11:00 do të mblidhet për të provuar që të konstituohet pas bllokadës në të cilën ka ngecur qe më shumë se pesë muaj që kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Këtë herë kjo seancë do të mbahet pas disa deklaratave optimiste nga partia e Fatmir Limajt se mund të arrihet një marrëveshje me partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila mund të çojë në dhënien fund të këtij cikli të vazhdimit të seancës konstituive.
Partia e Limajt, Nisma, ka tri ulëse në Kuvend, ndërsa qe një kohë është përfolur për një bashkëpunim të mundshëm me partinë e Albin Kurtit.
Një arritje të marrëveshjes mes këtyre dy subjekteve e ka paralajmëruar bashkëpartiakja e Limajt, Xhevahire Izmaku, e cila dje deklaroi se Limaj dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do ta arrijnë një marrëveshje në fundjavë.
Ajo mohoi se Nisma ka hequr dorë nga ambicia për postin e kryeparlamentarit, një kërkesë e Nismës që mbajti peng tash e sa kohë një bashkëpunim të mundshëm me partinë e Kurtit, e cila refuzoi ta japë këtë pozitë që e ka rezervuar për Albulena Haxhiun.
“Jo, absolutisht, ne jemi në atë diagonale të bisedimeve me çështjen që zoti Limaj të jetë në krye të Kuvendit dhe të presim në fundjavë që të ketë një epilog pozitiv të bisedimeve”, tha Izmaku.
Po ashtu, parlamentarët sot do të mblidhen derisa afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese për të përfunduar konstituimin po afrohet.