
Përballja mes Oleksandr Usyk dhe Daniel Dubois për titullin e padiskutueshëm të peshave të rënda do të zhvillohet në stadiumin legjendar Wembley, përpara mbi 90 mijë tifozëve.
Të dy boksierët kanë kryer tashmë peshimin zyrtar, duke konfirmuar gatishmërinë për sfidën e madhe që do të vendosë kampionin absolut të botës.
Në peshimin zyrtar, Daniel Dubois regjistroi 110.5 kg, ndërsa Usyk peshonte 103.1 kg.
Kjo diferencë prej mbi 7 kilogramësh tregon qartë strategjinë e Dubois për të përdorur fuqinë fizike dhe goditjet e rënda, ndërkohë që Usyk mbetet në parametrat e tij të zakonshëm, duke besuar te shpejtësia, teknika dhe rezistenca.
Në përballjen e parë mes tyre, zhvilluar në gusht të vitit 2023 në Wroclaw të Polonisë, Usyk fitoi me nokaut teknik në raundin e nëntë. Ajo ishte humbja e dytë në karrierë për Dubois, i cili aktualisht ka një bilanc prej 22 fitore dhe 2 humbje (21 fitore me nokaut).
Usyk mbetet i pamposhtur me 23 fitore në 23 ndeshje, duke përfshirë edhe suksesin e bujshëm ndaj Tyson Furyt.
Edhe pse Dubois ka avantazh në peshë dhe gjatësi – është 196 cm i gjatë krahasuar me 191 cm të Usyk – ekspertët e shohin përsëri ukrainasin si favorit.
Të dy boksierët kanë të njëjtën shtrirje të krahëve (198 cm), por Usyk konsiderohet më i përgatitur teknikisht dhe më elastik në ring.
Sipas parashikimeve nga mediat britanike, Usyk ka shanse më të larta për fitore. Fitorja e tij vlerësohet me koeficient 1.33, ndërsa triumfi i Dubois kuotohet me 3.72.
Mundësia që Usyk ta fitojë duelin me nokaut, nokaut teknik ose diskualifikim është vlerësuar me 2.30, ndërsa për Dubois kjo shifër është 4.75.
Kjo përballje pritet të përcaktojë kampionin e padiskutueshëm në peshat e rënda, duke bashkuar të gjithë titujt kryesorë të boksit profesionist: WBA, WBC, WBO, IBF dhe The Ring Magazine.