
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit Hekuran Murati, duke kundërshtuar fuqishëm që dikush të mbajë njëkohësisht pozitën e deputetit dhe të ministrit.
Ai ka kujtuar praktikën e qeverisjes së kaluar kur, sipas tij, ministrat e zgjedhur si deputetë ishin liruar nga detyrat ekzekutive, për dallim nga qasja aktuale.
“Në çdo situatë kur nuk ke qeveri të legjitimuar, quhet qeveri në detyrë. As mocioni i mosbesimit nuk ta merr të drejtën me qenë kryeministër në detyrë sepse Mustafa dhe ministrat e qeverisë së rrëzuar nga PDK dhe aleatët, vazhduan deri në betimin për deputetë që dolën nga zgjedhjet e rregullta, por ata liruan zyrat e Qeverisë për bankat e Parlamentit”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka reaguar ashpër ndaj logjikës që lejon një individ të ushtrojë funksione të dyfishta dhe ka përdorur një krahasim thumbues për të ilustruar absurditetin e saj:
“E ju, edhe deputetë, edhe ministra. Sipas kësaj logjike, mundeni me qenë edhe prokuror, edhe gjykatës!”
Haziri shtoi se respektimi i parimeve të ndarjes së pushteteve është thelbësor për funksionimin e Republikës:
“Ata që e duan Republikën, e ruajnë dhe e respektojnë. Sovraniteti nuk është veç në një copë toke, por në sallën e Kuvendit të Republikës dhe në zemrën e Kushtetutës së Republikës”.