
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot do të mbahet seanca gjyqësore e radhës për rastin “Banjska”. Seanca do të zhvillohet ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Seanca e fundit gjyqësore për rastin “Banjska” ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq nuk u zhvillua, për shkak se nuk kishte kushte për mbajtjen e saj. Ishte planifikuar të dëgjohej një dëshmitar i propozuar nga Prokuroria, mirëpo ai nuk ka pasur mundësi të jetë i pranishëm në këtë seancë.
Ndryshe, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq janë tre nga 45 të akuzuarit për këtë sulm terrorist të udhëhequr nga krimineli Milan Radojiçiq. Ata akuzohen për kryerje të veprave terroriste në sulmin ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Përveç tre të akuzuarve që po gjykohen nga drejtësia kosovare, 42 të tjerë – përfshirë edhe Milan Radojiçiqin, i cili publikisht pranoi se ka udhëhequr sulmin në Banjskë – janë ende në arrati.
Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave të përfshirë në këtë rast, në krye me Milan Radojiçiqin, për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar ekstradimin e Milan Radojiçiqit dhe të akuzuarve të tjerë përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, mirëpo kjo kërkesë nuk është përmbushur ende.
Përveç seancës së sotme, gjykimi në këtë rast do të vazhdojë edhe më 22 dhe 24 korrik.