Konkurs i kurdisur? Pushteti i Alban Hysenit denoncohet për pozitën e hapur për "zyrtar librarie" - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Konkurs i kurdisur? Pushteti i Alban Hysenit denoncohet për pozitën e hapur për “zyrtar librarie”

    Insajderi
    22 July 2025 - 14:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Gjilanit, e udhëhequr nga Alban Hyseni i VV’së, ka hapur një konkurs për pozitën “Zyrtar i Librarisë” në DKRS, ndonëse pretendohet se kjo drejtori nuk posedon asnjë librari publike. Nga opozita kanë ngritur dyshime për “kurdisje të konkursit”, duke theksuar se përshkrimi i punës është i ‘paqartë, joformal dhe hap rrugë për abuzime’. Nga komuna nuk kanë komentuar këto akuza, përveç një deklarate se konkurset shpallen nga Zyra e Personelit. Insajderi sjell detaje.

    Gazeta Insajderi

    Komuna e Gjilanit, konkretisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, me datën 10 korrik të këtij viti, ka hapur konkurs për pozitën “Zyrtar i Librarisë”.

    Për këtë pozitë kërkohet vetëm një zyrtarë.

    Në konkurs është cekur edhe përshkrimi punës, dhe kriteret që kërkohen për aplikim.

    Por, lidhur me këtë konkurs janë ngritur dyshime për ‘kurdisje të konkursit’

    Kështu kanë pretenduar nga opozita në Gjilan, pasi sipas tyre konkursi është i përbërë me përshkrime e kritere të “çuditshme”.

    “Është një dokument i çuditshëm, i paspecifikuar dhe që nuk i përngjan asnjë formati të zakonshëm të konkurseve publike në Republikën e Kosovës. Siç duket, ky konkurs është dizajnuar posaçërisht për një individ të caktuar me një detyrë të paracaktuar”, ka thënë Kushtrim Kadriu, kryesues i Kuvendit Komunal në Gjilan.

    Siç ka theksuar Kadriu, Drejtoria e Kulturës që e ka hapur këtë konkurs, nuk posedon asnjë librari publike në kuadër të saj.

    “Mospërputhjet në titull dhe përshkrim të vendit të punës:. Konkursi lejon aplikimin për një pozitë me arsim të lartë “të paspecifikuar”, ndërkohë që kërkesa për arsimim duhet të jetë e qartë dhe e lidhur drejtpërdrejt me natyrën e vendit të punës. Pozita e shpallur është “Zyrtar i Librarisë” në DKRS Gjilan një titull i pakuptimtë dhe që nuk figuron në asnjë strukturë zyrtare institucionale, pasi DKRS nuk posedon asnjë librari publike në kuadër të saj”.

    Tutje, ai ka përmendur edhe disa përshkrime tjera, që sipas tij bien në ndesh me standardet administrative.

    “Teksti i përshkrimit është i paqartë, i paformatuar profesionalisht dhe i dështuar në përcaktimin e qartë të detyrave dhe përgjegjësive. Këso lloj përshkrimesh nuk i përkasin një konkursi të mirëfilltë publik. Thuhet se “zyrtari merr përgjegjësi pa mbikëqyrje nga askush”, çka bie ndesh me çdo standard administrativ dhe etik institucional. Sipas konkursit, ky zyrtar nuk i jep askujt llogari, punon pa kontroll, dhe vepron me “iniciativë vetanake” një përshkrim që le hapësirë për abuzime dhe mungesë totale të transparencës”.

    Ky konkurs është i mbushur me pasaktësi, formulime të paqarta dhe krijon hije dyshimi për përzgjedhje të paracaktuar. I bëjmë thirrje autoriteteve komunale që ta anulojnë këtë konkurs dhe të hapin një të ri me kritere të qarta, përshkrim të saktë të detyrave dhe në përputhje të plotë me ligjet dhe standardet e rekrutimit publik. Transparenca dhe ligjshmëria janë detyrim, jo përjashtim!, ka shkruar ai tutje.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me komunën e Gjilanit, përkatësisht me drejtorinë e Kulturës, por nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje rreth këtyre akuzave.

    Në përgjigjen nga kjo drejtori thuhet se konkurset shpallen nga zyra e personelit.

    “Vetëm desha të ju informoj se konkurset shpallen nga zyra e personelit!”. Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark