“Doni Fruits” tentoi të fuste qepë të rrezikshme nga Serbia – AUV ndalon 23 tonë të kompanisë së biznesmenit të favorizuar nga pushteti - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Doni Fruits” tentoi të fuste qepë të rrezikshme nga Serbia – AUV ndalon 23 tonë të kompanisë së biznesmenit të favorizuar nga pushteti

    Insajderi
    23 July 2025 - 15:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kompania e biznesmenit nga Ferizaj, Ejup Ahmeti, i cili është i afërt me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, është kapur duke tentuar të fusë në Kosovë qepë që nuk ishin të përshtatshme për konsum. Në vendimin që ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se kompania “Doni Fruits”, është detyruar të kthejë te kompania serbe mbi 23 tonë qepë, pasi mostrat e kontrollit fizik nuk përputheshin me kërkesat ligjore.

    Mira Avdimetaj

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka refuzuar hyrjen në Kosovë të një sasie prej 23.3 ton qepë të freskëta të importuara nga Serbia, pasi gjatë kontrollit është konstatuar se produkti nuk përmbushte kërkesat ligjore për siguri ushqimore.

    Sipas një vendimi të lëshuar nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar në pikën doganore “Merdarë”, bëhet e ditur se produkti ishte paraparë të importohej nga kompania “DONI FRUITS” SHPK nga Ferizaj, përmes eksportuesit serb “Agro Comercial Tomic Doo”.

    “Refuzohet importi i mallit: QEPË TË FRESKËTA në sasi prej 23.3 ton,” thuhet në vendimin zyrtar të datës 24 janar 2025. Vendimi është marrë pasi gjatë kontrollit janë evidentuar mospërputhje në dokumentacion dhe mosrespektim të kritereve të sigurisë sipas udhëzimit administrativ 06/2024 të Republikës së Kosovës.

    Në vendim është theksuar se “produktit nuk i bashkëngjiteshin të gjitha dokumentet dhe mostrat e kontrollit fizik nuk përputheshin me kërkesat ligjore”, duke e konsideruar të pasigurt për konsum.

    Pas vendimit, AUV ka urdhëror kompaninë “Doni Fruits” të kthej produktin në vendin e origjinës, ndërsa është theksuar se “Dogana e Kosovës dhe agjenti doganor janë përgjegjës për zbatimin e procedurës së kthimit.”

    Gazeta Insajderi ka kërkuar një koment nga kompania në fjal por deri në momentin e publikimit të shkrimit, nuk kanë kthyer përgjigje.

    Kompania “Doni Fruits” dhe lidhja me pushtetin

    “Doni Fruits” Sh.P.K., është një kompani me bazë në Shtime të Kosovës. Ajo merret me kultivimin dhe eksportin e produkteve bujqësore.

    Ejup Ahmeti, themeluesi i kompanisë, në vitin 2021 ishte përzgjedhur nga Qeveria Kurti në mesin e pak prodhuesve kosovarë si pjesë e delegacionit kosovar në mbledhjen e dy qeverive Kosovë-Shqipëri.

    Afërsinë e tij me pushtetin e konfirmojnë edhe takimet e shumta që ai ka zhvilluar me ministria të Qeverisë Kurti. Lehtë mund të gjinden dhjetëra fotografi së bashku me ministrin Faton Peci, Xhelal Sveçla e Rozeta Hajdarin.

    Biznesi i Ahmetit është i shtrirë edhe në Shqipëri./Gazeta Injsaderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark