
Xheladin Pozhegu, bashkëpronar i N.T.SH “Shefqeti” SH.P.K dhe Albert Margegaj, pronar i “My Group” SH.P.K gjenden në arrest shtëpiak si të dyshuar për veprën penale “asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse” dhe “rrezikimi i sigurisë në vendin e punës“. Kjo, pasi që dy punëtorë të ndërtimit humbën jetën në kompleksin e banesave dhe lokale afariste “Ndërtesa Kolektive” në qendër të Gjakovës.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë kontratën e arritur në mes të biznesmenit Pozhegu dhe Margegaj, e cila është referuar si provë nga Gjykata Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj dy të dyshuarve.
Në kontratë, Neni 3, Kohëzgjatja e kontratës, të drejtat dhe obligimet e palëve kontraktuese specifikojnë qartë përgjegjësitë e investitorit dhe punëkryerësi të objektit. Më saktësisht, Neni 3.2, pika a. parasheh që siguria e punëtorëve në vendpunishte të bëhet nga punëkryerësi. Pika b. e po këtij neni parasheh që montimi i skeleve bëhet nga punëdhënësi, investitori dhe pika c. që skelet i siguron investitori.
Lidhur me këtë kontratë, e cila është përdorur si provë materiale nga prokuroria, ka pasur mospajtime e akuza ndërmjet investitorit Pozhegu dhe punëkryerësit Margegaj në gjykatë.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë se çfarë kanë deklaruar në gjykatore Pozhegu dhe Margegaj:
Pozhegu para trupit gjykues para caktimit të masës së arrestit shtëpiak thotë se është e vërtetë se është vonuar me vendosjen e skeleve në objekt. Ai thotë se Margegaj i “My Group” e ka pasur mundësinë që të ndalojë kryerjen e punimeve nëse ka vlerësuar se ka pasur rrezikshmëri “e jo të vazhdojë punimet me ato skele“.
Avokati i Margegajt, Prek Kolaj, ka thënë se shpreh keqardhje për atë çfarë ka ndodhur por që “shihet qartë se i pandehuri Albert Margegaj nuk ka pasur ndonjë përgjegjësi sa i përket sigurimit të punishtes së objektit”.
“… Pasi nga vetë kjo kontratë punëkryrësi dhe investitori janë dakorduar që të bëhet montimi i skeleve rreth objektit duke siguruar objekti dhe këtë vendosje të skeleve nuk e ka vendosur investitori me kohë duke shkaktuar vonesa dhe si pasojë e mos vendosjes së skeleve rreth objektit ka ardhur me pasojat e humbjes së jetëve“, ka deklaruar Kolaj.
Margegaj pajtohet me deklarimit e avokatit dhe thotë se investitori Pozhegu s’i ka siguruar skelet. Sipas tij, përgjatë datës 17 dhe 18 korrik ka biseduar me investitorin Pozhegu dhe se ky i fundit i kishte siguruar që skelet do të jenë të montuara të enjten, të premten ose më së largu të shtunën.
“Kërkesa e investitorit ka qenë verbale jo me shkrim, të kalojmë nivelin e përdheses dhe pastaj të montojnë skelet, pasi që na pengon me furnizimin me materiale e që mua nuk do të më kishte penguar montimi i skeleve, biseda e fundit për montimin e skeleve ka qenë me datën 17-18.07.2025 ku unë kam biseduar me Xheladini dhe më ka premtu se të enjten, të premten ose të shtunën do të jenë të montuara të gjitha skelet, të shtunën unë nuk kam qenë në Kosovë dhe skelet nuk kanë qenë të montuara kur unë kam dal në punë të hënën“, ka thënë ai.
Ai ka thënë se skelet e vendosura nga punonjësit e tij u vendosën si masë preventive dhe se ndjen keqardhje për fatkeqësinë meqë kishte punuar gjatë me të ndjerit.
Gjithsesi, në vlerësimin e gjykatës për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, fajtor bëhen edhe investitori edhe punëkryerësi. Gjykata cek nenin 3.2, pikat a, b dhe c të derivuara nga kontrata e mësipërme që bëjnë përgjegjës të dy palët për sigurinë në punë.
“Gjykata vlerëson se vërtetohet dyshimi i bazuar për kryerjen e veprave penale për të cilën ngarkohen të pandehurit, pasi që nga kjo rrjedh përgjegjësia e investitorit për sigurimin e skeleve, të cilat në rastin konkret nuk kanë qenë të siguruara ku kanë vazhduar punimet në objektin ku investitor ka qenë i akuzuari Xheladin Pozhegu, i cili në çdo kohë ka mundur të urdhëroj ndërprerjen e punimeve derisa të përmbush obligimin e tij për vendosjen e skeleve, e po ashtu këtë kontratë dhe sigurinë në punë nuk është siguruar ta realizoj as i pandehuri Albert Margegaj si person përgjegjës i punëkryerësit, ku nën kushte të tilla ka vazhduar punimet, i cili po ashtu ka mundur që të urdhëroj mos vazhdimin e punimeve derisa të vendosen skelet nga investitori“, thuhet në vendimin e gjykatës.
Gjykata po ashtu thotë se edhe përmes fotove në vendin e ngjarjes vërehet lehtë se skelet janë të improvizuara dhe aspak të sigurta.
Ndaj Pozhegut dhe Margegajt është caktuar masa e arrestit shtëpiak, duke u zëvendësuar me atë të paraburgimit të cilin e kërkonte prokuroria, meqë gjykata arsyeton se dy të dyshuarit posedojnë biznese në Kosovë dhe s’ekziston rreziku i ikjes së tyre.
Gazeta Insajderi ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Komuna e Gjakovës për t’i pyetur nëse kanë inspektuar ndonjëherë punimet në këtë objekt, meqë është edhe në qendër të kësaj komune, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë asnjë përgjigje.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraparë se për kryerjen e veprave penale, ekziston dënimi nga një deri në tetë vite burgim.
Sipas kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, dy viktimat kanë qenë duke shkelur në një dërrasë e cila ishte montuar jashtë kushteve teknike. Gjatë punës, dërrasa është thyer dhe viktimat kanë rënë nga kati i tretë, në lartësi prej 9 metrave.
Po ashtu, në kërkesë thuhet se viktimat nuk kanë pasur të ngjitur jelek dhe helmeta mbrojtëse e as nuk kishin të vendosur litar për siguri.
“Viktimat derisa ishin duke punuar në ndërtimin e objektit banesor përkatësisht kishin qenë në shkelësen e dërrasës së montuar jashtë kushteve teknike duke bërë demolimin e dërrasave të jashtme të betonit për një moment dërrasa shkelëse thyhet dhe të njëjtit bien nga kati i tretë, në lartësinë nga toka prej nëntë (9)metra, të cilët gjatë punës nuk kishin jelek dhe helmeta mbrojtëse e as nuk kishte të vendosur litarin për siguri, si dhe vendi nga ku kanë rënë viktimat nuk kishte skele të vendosura e as parmak mbrojtës që nuk do të lejonte që punëtorët të bie në tokë, me ç’ rast si pasojë e rrëzimit në vendin e punës dhe lëndimeve të marra të dy kanë humbur”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.
Insajderi raportoi dje se dy viktimat e këtij aksidenti tragjik janë Hazir Jakupi, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Daut Bajraktari. Të dy viktimat janë rreth moshës 50-vjeçare.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Inspektorati i Punës. Në reagimin e tyre thuhet se subjekti ku ndodhi aksidenti ishte gjobitur më herët për shkelje të përsëritura të ligjeve të punës.
“Ju informojmë se subjekti ku ndodhi aksidenti ka qenë më herët dy herë i gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje të përsëritura në këtë fushë. Kjo e bën edhe më të papranueshëm faktin që nuk janë ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve”, u tha në reagimin e Inspektoratit. /Insajderi.org/