Kryeprokurori Isufaj: Radoiçiq kërkoi heqjen e urdhërarrestit në këmbim të informacioneve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeprokurori Isufaj: Radoiçiq kërkoi heqjen e urdhërarrestit në këmbim të informacioneve

    Insajderi
    27 July 2025 - 22:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka zbardhur detaje të reja rreth heqjes së urdhër-arrestit ndaj Milan Radojiçiqit në vitin 2021.

    Sipas kryeprokurorit, avokati kishte deklaruar se klienti i tij po tregonte sinjale bashkëpunimi dhe ishte i gatshëm të ofronte informacion për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, nëse urdhër-arresti ndaj tij do të tërhiqej.

    Në atë periudhë, Isufaj tha se nuk kishte shumë informacion për Radojiçiqin dhe se nuk pranoi ofertën.

    “Nuk është se unë s’kam dashur ta pranoj një ofertë të tillë, nuk është se unë nuk kam dashur të siguroj informacionet që pretendohej se ishin shumë relevante për çështjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit sepse urdhër-arresti ka të bëjë për vrasjen e Ivanoviqit. Nuk u pajtova me prokurorin dhe i thashë vazhdo me procesin kështu si je”, deklaroi Isufaj në KallxoPërnime.

    Isufaj shtoi se prokurori i çështjes, Burim Qerkini, kishte vazhduar të insistonte me një plan hetimi për të siguruar informacionin, strategji e mbështetur nga ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

    Ky i fundit gjithashtu e kishte mbështetur tërheqjen e urdhër-arrestit, me shpresën se kjo do të çonte në informacione të reja për vrasjen e Ivanoviqit.

    “Prokurori i çështjes insistoi dhe mua ma solli një plan hetimi, një strategji për mënyrën se si ai mendon marrjen e atij informacioni. Për të gjitha këto biseda, i informuar dhe në takime ka qenë ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi. Meqenëse prokurori – e thashë edhe më herët – është i pavarur në mënyrën se si e trajton një rast, se si e siguron një provë, se si e prezanton provën para gjykatës, unë nuk mujta me u ba pengesë me thanë nuk bën në asnjë mënyrë sepse e kisha një instancë më të lartë aty”, tha ai.

    “Po, ishte pro kësaj dhe unë i besova sinqeritetit të prokurorit. Isha i bindur dhe jam edhe sot se qëllimi i prokurorit të çështjes nuk ka qenë që të amnistohet Radoiçiqi, përkundrazi qëllimi ka qenë që ai të vihet këtu edhe të ballafaqohet me drejtësinë. Imagjinoje, Kreshnik, sikur ai të vinte në Prokurorinë Speciale, ose e kish dhënë informacionin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit ose do të arrestohej sepse e ka pasur statusin e personit të pandehur”, shtoi Isufaj.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    28 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark