
I dërguari i posaçëm i ish-presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, ka rikujtuar se arrestimi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhi pikërisht në kohën kur SHBA-ja po përpiqej të arrinte një marrëveshje historike ndërmjet dy vendeve, shkruan Insajderi.
Në një postim në rrjetin social “X” (ish-Twitter), Grenell ka deklaruar e ishte prokurori Jack Smith, tashmë i njohur për hetimet kundër Donald Trump – ai që urdhëroi arrestimin e Thaçit në vitin 2020.
“Jack Smith (po, ai) e arrestoi Hashim Thaçin në vitin 2020, në kohën kur Donald Trump ishte duke punuar për marrëveshjen Kosovë–Serbi. Është e turpshme që ai ende gjendet në burg. Është një mashtrim. Haga është e rrënuar”, shkroi ai.
Ish-presidenti Hashim Thaçi u arrestua vetëm pak javë para nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, në shtator të vitit 2020.
Ai ndodhet në paraburgim në Hagë që nga ajo kohë, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.