
Fitore Pacolli, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se motra e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka përfituar 15 mijë euro nga Ministria e Kulturës.
Pacolli, me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se ajo është përzgjedhur në mesin e 77 të rinjve përfitues për master dhe doktoratë.
“Paris, e para, po thua ktheji paret, e unë po të them nuk kam çka të kthej sepse nuk kam marr asgjë. E dyta, jam gëzuar shumë për lajmin që motra jote sivjet ka përfituar mbështetje vjetore financiare prej 15 mijë eurosh nga Ministria e Kulturës që drejtohet nga Hajrulla Çeku për studime jashtë vendit. Ajo është në mesin e 77 të rinjve përfitues vetëm sivjet, të cilët do të bëjnë master e doktoratë në botë”, ka shkruar Pacolli.
“Ajo çka di me siguri të plotë është që motra jote është mbështetur sepse e ka merituar. Jo sepse është motra e deputetit, apo ka gjetur lidhje tjera për të përfituar.
Me kutin tënd po të gjykoja do të thosha: Paris, ktheji paret!“, përfundon shkrimi i Pacollit.
Paris Guri ka kritikuar në vazhdimësi Fitore Pacollin lidhur me subvencionet bujqësore për të cilat është raportuar se janë marrë nga familjarët e saj. Së fundmi, Guri iu është kthyer në kuvend me fjalët “Fitore, ktheji paret”. /Insajderi.org/