
Miku i kryetarit të Vushtrrisë, Ferit Idrizit, Fehmi Shala, që njëherësh është edhe vëllai i gruas së tij është duke ndërtuar një objekt biznesor në fshatin Stanoc i Epërm, përgjatë magjistrales Prishtinë–Vushtrri.
Sipas banorëve dhe informatave të siguruara nga Insajderi, ndërtimi po bëhet pa leje ndërtimore.
Për këtë çështje, Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje zyrtare në Komunën e Vushtrrisë prej disa ditësh, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
Po ashtu, është kontaktuar edhe Fehmi Shala, i cili ka mohuar të jetë pronar i objektit.
“Gabim jeni se objekti ka qenë i ndërtuar në vitin 1999 dhe ka leje pune dhe ndërtimi, ndërsa biznesi nuk është i imi. Keni marrë informata të rrejshme. Biznesi është i Hajrush Shalës që as farë as fis nuk e kam. Mund të miqësohemi me të, por nuk kemi lidhje gjaku. Unë jam i Gumnishtës, kurse ai është i Karaçës. Unë vet jam në marrëdhënie pune si drejtor shkolle që nga viti 2009,” ka deklaruar ai për Insajderin.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Lidhja Demokratike në Vushtrri duke thënë se zbatimi i ligjit nuk duhet të ketë dy standarde.
“Përgjegjësia për rend dhe ligj në territorin e komunës është mbi të gjitha detyrë publike, jo private!”, thuhet në reagimin e tyre.
Gazeta Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin…