KQZ'ja ndan tender për kompaninë e vëllait të shefit të stafit të Kurtit, Luan Dalipit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    KQZ’ja ndan tender për kompaninë e vëllait të shefit të stafit të Kurtit, Luan Dalipit

    Insajderi
    30 July 2025 - 13:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një kontratë publike e nënshkruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka rikthyer në qendër të vëmendjes një kompani të lidhur ngushtë me kabinetin e Kryeministrit Albin Kurti. Bëhet fjalë për kompaninë “Management & Development Associates” (MDA), që dikur ishte në pronësi të Luan Dalipit – shefit aktual të stafit të Kurtit – e që sot figuron në emër të vëllait të tij, Driton Dalipi.

    Sipas dokumentit zyrtar të publikuar më 28 korrik nga KQZ-ja, MDA ka fituar tenderin për prodhimin e video dhe radio-spoteve informuese për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, me një kontratë në vlerë prej 13,979.98 euro. Tenderi u zhvillua përmes procedurës së hapur, me katër ofertues të përgjegjshëm, ku MDA ofroi çmimin më të ulët, përballë ofertave që arrinin deri në 19,851 euro.

    Por historia e kësaj kompanie shkon përtej kontratës. MDA është përfshirë vazhdimisht në projekte publike dhe fushata të financuara nga shteti, ndërkohë që mban një licencë për tregti me energji elektrike, sektor ky që është bërë subjekt i polemikave të ashpra në mandatin e Qeverisë Kurti, sidomos pas rritjes së çmimeve për konsumatorët.

    Luan Dalipi, para se të bëhej pjesë e Vetëvendosjes, ishte akuzuar nga prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Rasti lidhej pikërisht me tenderët e kompanisë MDA, ku sipas aktakuzës, ai kishte përfituar përmes një zyrtari të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Xhemajl Syla, duke keqpërdorur informata zyrtare në një projekt të financuar nga Bashkimi Evropian në vlerë prej dy milionë euro. Dalipi ishte shpallur i pafajshëm.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark