Sulmi ndaj KFOR-it në Zveçan- Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj M.A për huliganizëm - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Sulmi ndaj KFOR-it në Zveçan- Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj M.A për huliganizëm

    Insajderi
    30 July 2025 - 15:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurit M.A, i cili akuzohet për katër vepra të rënda penale, të ndodhura gjatë trazirave në Zveçan më 29 maj 2023.

    Sipas aktakuzës, M.A ngarkohet me këto akuza:

    • Sulm ndaj personit zyrtar,
    • Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale – huliganizëm,
    • Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotropike,
    • Posedim të paautorizuar të armëve.

    Sipas aktakuzës, më 29.05.2023, që nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri M.A, i ka sulmuar dhe seriozisht i ka kanosur disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, shufra të ndryshme, koktej molotovi dhe mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri.
    M.A akuzohet se, edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës, së bashku me të pandehurit tjerë kishin filluar të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar.

    Si pasojë e këtyre veprimeve, të cilat M.A, sipas aktakuzës, i ka kryer në koordinim me shumë të pandehur të tjerë, janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, janë shkaktuar lëndime të rënda trupore tek disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, si dhe dëme të mëdha materiale në automjete zyrtare dhe të gazetarëve që kanë mbuluar ngjarjet e asaj dite.

    Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për konfiskimin e një arme zjarri dhe shkatërrimin e substancave narkotike në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, të cilat janë sekuestruar gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore ndaj të pandehurit. PSRK i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark