
Barcelona po shijon prezantimin mbresëlënës të talentit të ri Roony Bardghji, por ndërkohë po përballet me interesin e klubeve arabe për një nga lojtarët e saj kryesorë, Ferran Torres.
Skuadra katalanase ndodhet ende në turneun aziatik, ku kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Të dielën debutuan Bardghji dhe Marcus Rashford, të cilët pritet të forcojnë ndjeshëm repartin ofensivë të Barcelonës.
Megjithatë, konkurrenca në sulm pritet të jetë e madhe dhe drejtuesit e Barcelonës po shqyrtojnë disa largime të mundshme. Përveç emrave si Ronald Araujo, Marc Casado dhe Fermín Lopez, në qendër të vëmendjes tani është Ferran Torres.
Sipas Jijantes, klubet nga Arabia Saudite po tentojnë të transferojnë sulmuesin 25-vjeçar spanjoll. Torres pati një sezon të mirë vitin e kaluar, duke shënuar 19 gola në 43 ndeshje, edhe pse shpesh luante si zëvendësues.
Lojtari nga Valencia ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2027 dhe një rol të rëndësishëm në skuadër. Megjithatë, oferta nga Arabia Saudite është mjaft e fuqishme.
Dy klube saudite janë të gatshme t’i ofrojnë Ferran Torres një kontratë prej 60 milionë eurosh për tre vite. Ata gjithashtu do të paguanin çdo shumë që Barcelona kërkon për kartonin e tij.
Nëse katalanasit pranojnë ofertën, largimi i Torres mund të hapte rrugë për afrime të tjera në merkato. Për momentin, Barcelona duhet të vendosë mes forcimit financiar dhe ruajtjes së një sulmuesi të rëndësishëm për projektin e saj sportiv.