Edhe Apeli lë në paraburgim Igor Popoviqin nën dyshimin se nxiti urrejtje dhe mosdurim midis serbëve dhe shqiptarëve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Edhe Apeli lë në paraburgim Igor Popoviqin nën dyshimin se nxiti urrejtje dhe mosdurim midis serbëve dhe shqiptarëve

    Insajderi
    31 July 2025 - 16:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit Igor Popoviq, avokatit Millosh Deleviq, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Popoviqit i është caktuar 30 ditë paraburgim, për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit nën dyshimin se mbajti fjalim kundër UÇK-së.

    Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut nën dyshimin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas vendimi të Apelit, shkalla e parë ka vepruar drejt kur ka caktuar paraburgimin, pasi që ekziston dyshimi i bazuar se Popoviq ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

    Apeli në vendim thekson se nga videoja shihet dhe dëgjohet teksa Popoviq mban fjalim në rajonin e Rahovecit, përmes të cilit mjaftueshëm krijohet dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale.

    Gjithnjë sipas vendimit, Popoviq ka shtesësi të Serbisë dhe nëse i njëjti mbrohet në liri, do të ishte i pakapshëm nga institucionet e Kosovës për faktin se Republika e Serbisë nuk bashkëpunon me Republikën e Kosovës.

    Apeli i ka dhënë të drejtë shkallës së parë lidhur me vendimin për caktimin e paraburgimit, me arsyetimin se nuk mund të justifikohet asnjë masë më e butë sesa ajo e paraburgimit ndaj Popoviqit.

    “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar lidhur me dosjen e Prokurorisë ndaj Popoviqit që dyshohet se me fjalimet e tij kishte nxitur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis serbëve dhe shqiptarëve.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me dashje dhe dijeni, më 18 korrik 2025, rreth orës 12:00, në Rahovec, ju kishte drejtuar një mase të papërcaktaur të personave duke pasur në dijeni se fjalimi i tij përcillet nga mediat, me fjalimin e tij ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis serbëve dhe shqiptarëve me fjalët me përmbajtjen – mënyrën që mund të prishë rendin publik.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark