
Pesë zyrtarët policorë të arrestuar për “vrasje nga pakujdesia” në rastin e Agon Zejnullahut në Lipjan janë liruar nga Gjykata, shkruan Insajderi.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tyre, Besnik Berisha, i cili e ka cilësuar këtë vendim si një fitore të drejtësisë ndaj padrejtësisë.
Avokati i familjes së Agon Zejnullahut, Asdren Hoxha, ka reaguar pas vendimit.
Përmes një postimi, Hoxha tha se ky aktvendim mund të interpretohet në forma të ndryshme, por sipas tij, “veç drejtësisë nuk i kontribuon”.
“Me u dyshu për këtë vepër penale kaq të rëndë, me veprime aq të vrazhda e gjakftohtësi, me u shqetësu i madh e i vogël në vendin tonë dhe me i lënë të lirë, është brengosëse”, ka shkruar ai.
Sipas avokatit, ky vendim është dëshpërues për çdo njeri me ndjenja normale dhe tregon se “jeta e njeriut po vlejka pak”.
Lirimin e pesë zyrtarëve policorë e ka bërë të ditur sot avokati i njërit prej policëve të akuzuar, Besnik Berisha.
Postimi i plotë:
Aktvendimi i gjykates se apelit,per nderprerjen e paraburgimit ne ceshtjen e pese zyrtarve policor qe hetohen per veper penale,vrasje nga pakujdesia te qytetarit Agon Zejnullahu,mund te sherbej edhe te interpretohet ne forma te ndryshme,veq drejtesise nuk i kontribuon.
Mund te jete cka do,veq drejtesi nuk eshte.
Me u dyshu per kete veper penale kaq te rende,me veprime aq te vrazhda e gjakftohtesi.Me u shqetesu i madh e i vogel ne vendin tone edhe me i lene te lire,eshte brengosese.
Jeta e njeriut po vlejka pak andaj kjo duhet me na prek krejt njerzve me ndjenja normale.