
Agim Pllashniku, qytetari që pak ditë më parë ballafaqoi publikisht deputeten e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, lidhur me 252 mijë eurot e ndara për familjarë të saj, është larguar nga puna.
Pllashniku ishte i punësuar në Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër Lepenci”, e cila drejtohet nga Faruk Mujku i Vetëvendosjes.
“Z.Agim Pllashniku i shkëputet kontrata e punës me efekt të menjëhershëm nga data e nënshrimit të këtij vendimi”, thuhet në vendim përcjell Insajderi.
Avokati i tij, Gent Gjini, ka bërë të ditur se kontrata e punës i është ndërprerë pa paralajmërim, menjëherë pas dorëzimit të kallëzimit penal ndaj Pacollit.
Ai e ka cilësuar vendimin si “skandal si në Korenë e Veriut“.
“I ndërpritet marrëdhënia e punës Agim Pllashnikut, pikërisht pas dorëzimit të kallëzimit penal ndaj Fitore Pacollit dhe pas skandaleve ku ajo është përfshirë. Si është e mundur, dhe pse pikërisht tani? Pa paralajmërim, pa vërejtje, pa asnjë bazë ligjore”, ka shkruar Gjini në reagimin e tij.
Ai shton se do të dorëzojnë një kallëzim të ri penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke shtuar se vlerat demokratike në vend po cënohen dhe “fjala e lirë nuk gjen më vend”.
Vendimi për ndërprerjen e kontratës mban firmën e drejtorit Faruk Mujku dhe është publikuar nga vetë avokati.