Futbollisti i njohur në gjyq për përdhunim, rrezikon deri në 15 vite burg - Insajderi
×
  • Sport
  • Insporti

    Futbollisti i njohur në gjyq për përdhunim, rrezikon deri në 15 vite burg

    Insajderi
    02 August 2025 - 09:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mbrojtësi i Paris Saint-Germain dhe përfaqësuesi i Marokut, Achraf Hakimi, mund të përballet me një proces gjyqësor pas akuzave për përdhunim, sipas të përditshmes franceze Le Parisien.

    Prokuroria e Nanterre ka paraqitur më 1 gusht 2025 një kërkesë për aktakuzë për ta çuar çështjen para gjykatës penale të Hauts-de-Seine.

    Ngjarja e dyshuar ka ndodhur në shkurt të vitit 2023, në shtëpinë e Hakimit në Boulogne-Billancourt pranë Parisit. Ai e ka mohuar gjithmonë kategorikisht akuzën.

    Sipas Le Parisien, viktima e dyshuar, 26 vjeçe, kishte komunikuar me futbollistin përmes Instagram-it për më shumë se një muaj, përpara se ta vizitonte në banesë. Ajo pretendon se Hakimi e ka puthur dhe prekur pa pëlqimin e saj dhe më pas e ka detyruar me forcë. Fillimisht, ajo nuk bëri një kallëzim formal, por më pas dorëzoi mesazhe te hetuesit që përshkruanin traumën që kishte përjetuar.

    Hakimi u vu nën hetim zyrtar më 3 mars 2023 dhe u mor në pyetje duke kaluar pak orë në paraburgim. Ai ka mohuar gjithçka, duke pretenduar se bëhet fjalë për një tentativë për shantazh financiar.
    Paris Saint-Germain ka vazhduar të qëndrojë në krah të lojtarit, duke theksuar besimin në procesin gjyqësor.

    Klubi deklaroi se mungesat e tij në stërvitje ishin për “arsye personale”.

    Në dhjetor 2023, Hakimi dhe paditësja u përballën në gjykatë, ku secili qëndroi në versionin e tij të ngjarjeve.

    Më pas, në janar 2025, Hakimi deklaroi për një bloger: “E vërteta është që kur je i suksesshëm, bëhesh një shënjestër e lehtë për disa njerëz. Ata donin të më shantazhonin, prandaj edhe bëmë kallëzim. Drejtësia ka vepruar mirë deri tani.”

    Çështja është aktualisht në duart e gjyqtarit hetues, i cili do të vendosë nëse do të ketë apo jo një proces penal. Nëse shpallet fajtor, Hakimi përballet me një dënim deri në 15 vite burg.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark