
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha, është përfshirë në një përleshje fizike së bashku me bashkëshorten e tij, N.H., dhe vajzën e mitur (rreth 14 vjeç) kundër një personi të dyshuar, S.K. (61 vjeç).
Të lënduarit u trajtuan fillimisht në QKMF Dragash, më pas u dërguan në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku lëndimet u cilësuan si të lehta trupore.
Policia lokale dhe hetuesit rajonalë nisën menjëherë hetimet. Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për “Lëndim të lehtë trupor”, dhe i është caktuar ndalim 48-orësh.
Motivi mbetet i paqartë, ndërsa organet e drejtësisë po e trajtojnë me prioritet të lartë, për shkak të përfshirjes së një zyrtari të lartë shtetëror.
Raportohet se i dyshuari është Safet Kusi.
Pak ditë para incidentit, Kusi ka publikuar një deklaratë të fortë përmes Facebook-ut, aty ai e quan kriminel dhe kërkon shkarkimin e deputetit Adem Hoxha nga parlamenti i Kosovës.
Ai ka akuzuar Adem Hoxhën dhe vëllezërit e tij për përfshirje në krime dhe terror ndaj qytetarëve të rajonit të Gorës.
Gjithashtu e kishet akuzuar publikisht deputetin se “punon nën urdhrin direkt të Milan Radojiçiqit”, një figurë e kërkuar për krime në Kosovës.
Kusi pretendon se zgjedhjet në Gorë ishin të manipuluara dhe të parregullta. Sipas tij, “nuk pati as garë politike, sepse të gjitha partitë gorane u tërhoqën nën kërcënime e shantazhe nga grupet e dhunshme”.