Prokuroria lëshon disa urdhra pas thirrjeve raciste ndaj shqiptarëve në Kumanovë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria lëshon disa urdhra pas thirrjeve raciste ndaj shqiptarëve në Kumanovë

    Insajderi
    04 August 2025 - 10:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës ka ndërmarrë disa veprime për hetimin e skandalit në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë të shtunën.

    Në këtë ndeshje, nga tribunat në sallën e sporteve në Kumanovë u dëgjuan thirrje raciste ndaj shqiptarëve, derisa prezent në sallë ishte edhe një delegacion qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski.

    Incidenti shkaktoi reagime të ashpra në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Shqipëri e Kosovë.

    Siç shkruajnë mediat maqedonase, Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës po ndërmerr veprime pas thirrjeve nacionaliste në tribuna.

    Zyra e Prokurorit të Kumanovës tha se ka lëshuar disa urdhra për hetimin e rastit, duke përfshirë një urdhër për të siguruar pamjet e kamerave të mbikëqyrjes për të identifikuar autorët.

    “Prokuroria Kryesore Publike e Kumanovës po vazhdon dhe ka lëshuar disa urdhra dhe udhëzime për Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Kumanovës për të hetuar elementët e një vepre penale në thirrjet që përmbanin gjuhë urrejtjeje nga individë aktualisht të panjohur në ndeshjen e djeshme të basketbollit midis ekipeve kombëtare të Maqedonisë dhe Rumanisë. Është lëshuar gjithashtu një urdhër për të siguruar pamjet e kamerave të mbikëqyrjes me qëllim identifikimin e autorëve të mundshëm”, njoftoi Prokuroria.

    Në ndeshjen e djeshme Maqedoni – Rumani, nga tribunat në pallatin e sporteve në Kumanovë u dëgjuan thirrje skandaloze dhe nxitëse të urrejtjes etnike, si parulla famëkeqe “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma të gazit për shqiptarët”.

    Foto nga ndeshja mund të gjenden në profilin e kryeministrit Mickoski në Facebook, ku shihet se ai e ka ndjekur ndeshjen së bashku me kryetarin e Kumanovës dhe udhëheqësin e ZNAM, Maksim Dimitrievski.

    Midis të pranishmëve ishte edhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, i cili sot nga foltorja e partisë njoftoi se partia e tij dënon të gjitha llojet e shpërthimeve nacionaliste dhe gjuhës së urrejtjes.

    Ai theksoi se thirrjet ksenofobike vinin nga një grup shumë i vogël qytetarësh.

    LSDM-ja e dënoi incidentin si një përpjekje për të krijuar tensione parazgjedhore midis qytetarëve, ndërsa BDI kërkoi dorëheqjet e zyrtarëve të VLEN-it.

    VLEN u përgjigj se në të kaluarën ka pasur shumë tragjedi që kanë prekur shqiptarët, por, siç theksuan ata, në asnjë situatë nuk ka pasur dorëheqje të zyrtarëve të BDI-së.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark