
Koloneli Nexhmi Krasniqi, Drejtor i Policisë Kufitare për Rajonin e Prizrenit, është arrestuar nën dyshimet për detyrim dhe shmangie nga tatimi.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.
Sipas burimeve të Insajderit, Krasniqi dhe tre persona të tjerë dyshohet se i kanë marrë 30 mijë euro një viktime në mënyrë të kundërligjshme.
Aksioni për arrestimin e tyre është zhvilluar nga Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Prizrenit. Janë bastisur katër lokacione dhe janë arrestuar katër persona.
“Ndër të arrestuarit është edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës me gradën kolonel…”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Me vendim të IPK-së, Nexhmi Krasniqi është suspenduar nga detyra.
Nexhmi Krasniqi disa herë ka bërë shkelje të ligjit dhe kompetencave të tij si zyrtar policor.
Ka disa raste ku emri i tij është përfshirë në veprime të dyshimta.
Krasniqi është parë duke shtënë me armë zjarri në një dasmë të familjarëve të tij.
Në një rast tjetër, si Drejtor i Policisë Kufitare, Nexhmi Krasniqi, bashkë me vartësit dhe miqtë e tij, ishte parë i relaksuar në orar të punës, duke konsumuar Jägermeister dhe raki.
Ndërkohë, në janar të këtij viti, ai ishte suspenduar nga IPK-ja, pasi kishte marrë pjesë në një tubim partiak.