"Shtëpi dhuruar nga vëllai" Kjo është pasuria e kolonel Nexhmi Krasniqit i cili u arrestua dje për detyrim dhe shmangie nga tatimi - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Shtëpi dhuruar nga vëllai” Kjo është pasuria e kolonel Nexhmi Krasniqit i cili u arrestua dje për detyrim dhe shmangie nga tatimi

    Insajderi
    05 August 2025 - 13:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Koloneli Nexhmi Krasniqi, Drejtor i Policisë Kufitare për Rajonin e Prizrenit, është arrestuar të hënën nën dyshimet për detyrim dhe shmangie nga tatimi.

    Sipas burimeve të Insajderit, Krasniqi dhe tre persona të tjerë dyshohet se i kanë marrë 30 mijë euro një viktime në mënyrë të kundërligjshme.

    Aksioni për arrestimin e tyre është zhvilluar nga Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Prizrenit. Janë bastisur katër lokacione dhe janë arrestuar katër persona.

    “Ndër të arrestuarit është edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës me gradën kolonel…”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

    Me vendim të IPK-së, Nexhmi Krasniqi është suspenduar nga detyra.

    Kjo është pasuria e Nexhmi Krasniqit e deklaruar në APK

    Nexhmi Krasniqi, sipas deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë ka deklaruar pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme që tejkalojnë vlerën e 100 mijë eurove, pa llogaritur të hyrat dhe paratë e gatshme në bankë.

    Në formularin e deklarimit, Krasniqi ka bërë të ditur se është pronar i një banese 78.02 m² të blerë në vitin 2004 për 30 mijë euro. Gjithashtu, ai ka deklaruar pronësi të përbashkët në dy toka dhe një shtëpi, me sipërfaqe që arrijnë deri në 1,414.00 m², të cilat kanë kaluar në pronësi përmes trashëgimisë familjare.

    Për më tepër, ai ka raportuar edhe një shtëpi prej 124 m², e cila i është dhuruar nga vëllai.

    Krasniqi ka deklaruar posedimin e një veture Volksëagen, të blerë në vitin 2021 për 17 mijë euro, e cila figuron në pronësi të përbashkët.

    Në llogaritë bankare, ai ka deklaruar se posedon mbi 82 mijë euro, të shpërndara në disa llogari rrjedhëse dhe depozita në Bankën Kombëtare Tregtare. Shuma më e madhe, 55 mijë euro, është deklaruar si kursim familjar.

    Të ardhurat vjetore

    Të ardhurat e tij vjetore nga paga në Policinë e Kosovës kapin vlerën 18,703.14 euro, ndërsa nuk ka raportuar të ardhura shtesë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark