
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot një letër të veçantë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin e saj ndaj partneritetit me SHBA-të dhe e vlerëson si mike të vërtetë të Amerikës.
Në letrën dërguar Presidentes Osmani, Trump thekson lidershipin e guximshëm të saj dhe dëshirën për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve në vitet e ardhshme. Ai vlerëson vendimin e Kosovës për të pranuar shtetas nga vende të tjera si një shenjë të gatishmërisë për bashkëpunim dhe solidaritet.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese”, shkruan Presidenti Trump në letër.
Ai falënderon Presidenten Osmani për angazhimin e saj në forcimin e këtij partneriteti dhe shpreh besimin se bashkë do të avancojnë qëllimet e përbashkëta. Në përfundim, Trump i përcjell edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump.
Ky mesazh tregon edhe njëherë lidhjen e ngushtë dhe bashkëpunimin e fortë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.