
Në rastin penal kundër Nexhmi Krasniqit dhe të tjerëve, Prokuroria ka kërkuar bllokimin e disa pasurive të paluajtshme, për shkak të dyshimeve për veprimtari kriminale që përfshijnë detyrim dhe kërcënim ndaj viktimave me qëllim përfitimi pasuror, shkruan Insajderi.
Sipas dosjes së Prokurorisë që ka siguruar Gazeta Insajderi, Nexhmi Krasniqi dyshohet se në bashkëpunim me të pandehurit Liman Sallauka dhe të tjerë, ka ushtruar presion dhe frikësim ndaj një qytetari për ta detyruar të tërhiqet nga prona e tij në favor të Ramdan Paçarizit. Fjala është për një parcelë toke me vlerë tregu prej 250 mijë euro, që më parë ishte vlerësuar edhe deri në 500 mijë euro. Kjo pronë është blerë për një shumë dukshëm më të ulët.
Nga kjo marrëveshje, viktima është detyruar që me presionin dhe frikën e shkaktuar nga të pandehurit, të japë një shumë prej 130,000 eurosh për një shtëpi të Nexhmi Krasniqit, ndërsa 20,000 euro të tjera janë dhënë për Liman Sallaukën dhe 10,000 euro të tjera po ashtu për Krasniqin. Këto shuma janë dorëzuar në zarf në shtëpinë e Nexhmi Krasniqit.
Prokuroria, për shkak të këtyre rrethanave, ka kërkuar masa të përkohshme sigurie ndaj pasurive të përfituara në mënyrë të kundërligjshme, përfshirë:
“Parcela e tokës në emër të dëmtuarit, për të cilën pretendohet se është tërhequr nën presion. Shtëpia e Nexhmi Krasniqit, ku janë dorëzuar paratë e përfituara nga veprimet e kundërligjshme. Shumat monetare të dhëna nga viktima, të cilat u janë transferuar të pandehurve”, shkruan në dosje.