
Gjykata Kushtetuese ka lëshuar një njoftim pas tërheqjes së Vjosa Osmanit për çështjen e bllokadës së Kuvendit.
Siç thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese, ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues bëhet në bazë të rregullave të qarta procedural, shkruan Insajderi.
“Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Kushtetuesja flet edhe për gjyqtarin e Kushtetueses, Radomir Laban, ka thënë se iu është nënështruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore.
“Sa u përket çështjeve të ngritura përkitazi me Gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Radomir Laban, siç jeni të informuar, i njëjti ka qenë i punësuar në Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2011, në pozitën e Këshilltarit juridik, dhe që nga data 9 gusht 2018 ushtron funksionin e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë”, thuhet tutje.
“Gjykata Kushtetuese si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës, në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin e saj, i trajton të gjitha kërkesat e dorëzuara nga palët e autorizuara me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi. /Insajderi.org/