
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj sjelljes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas përgjigjes së tij me nervozizëm ndaj gazetares së Klan Kosovës, Arbëreshë Uka, e cila e kishte pyetur lidhur me mungesën e barnave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“A ka albumina? A ka diazepam? Qetësohuni pak. Kujdes pak si po silleni kur jeni në poste publike, se jeni aty me shërby, jo me tregu arrogancë. Politikanë ka sa të duash e populli mundet me ju ndru sikur pelenat e bebeve”, ka shkruar Muharremi në një postim në Facebook.
Ai thekson se gazetarët kanë detyrë të bëjnë pyetje me interes publik, ndërsa zyrtarët qeveritarë janë të obliguar të japin përgjigje dhe të sillen me respekt, sidomos në detyrën publike që mbajnë.
“Gazetarët e kanë bash atë detyrë me bë pyetje me interes publik. Qeveritarët e kanë për detyrë me dhënë përgjigje dhe me qenë sa më të sjellshëm gjatë kryerjes së detyrës publike. Kur të shkojnë në shtëpi pas punës, le të sillen si të kanë dëshirë”, shkroi ai.
Muharremi rikujton se qeveria menaxhon paratë e qytetarëve dhe për këtë duhet të japë llogari, pa nervozizëm dhe arrogancë.
“Qytetarët kërkojnë llogari për menaxhimin e taksave, parasë dhe punëve publike. Qeveritarët duhet me u përgjigjë për secilin veprim dhe mosveprim. Kështu funksionon demokracia”, thekson ai.
“Kur i menaxhon paret e tjerëve, duhesh me dhanë llogari. Nëse nuk të pëlqen, shko menaxho para tuaja privat dhe menaxho një biznes atëherë mundesh me u tregu me sjellje tjera, se aty tregu të edukon.”
Duke komentuar pyetjen konkrete të gazetares për mungesën e ilaçeve, Muharremi thotë se ajo ishte plotësisht legjitime dhe e justifikuar.
“‘A ka? Pse s’ka albumina?’ janë pyetje krejt legjitime e me vend, se ky ilaç ka mungu gjatë, sipas raportimeve të vazhdueshme nga mediat e ndryshme” thekson ai.
Për Muharremin, mënyra si Kurti i është kthyer gazetares është tregues i nervozizmit të shkaktuar nga dështimet dhe realiteti në të cilin ndodhet qeveria, e jo ndonjë problem me median.
“Kur kryeministri i kthehet gazetares me nervozë e arrogancë, sikur sot, problemi nuk duket që është gazetarja. Ma shumë duket si sinjal i nervozës e pakënaqësisë me rezultatet dhe realitetin e gjendjes politike”.
Ai shton se gazetarja nuk ka asnjë faj për situatën aktuale politike apo për pamundësinë e Kurtit për të krijuar shumicë parlamentare.
“Gazetarja nuk e ka sjellë e kriju këtë gjendje, e kanë kriju politikanët, ku z. Kurti ka përgjegjësinë dhe rolin më të madh.”
“Gazetarja gjithashtu nuk ka asnjë faj që ju nuk po arrini me kriju shumicën parlamentare. Ajo është puna juaj, jo e mediave. E ju duhet me pranu me bo kompromise, me u sill mirë me tjerët, se përndryshe mbeteni të izoluar, sikurse tash.”
Në përmbyllje, Muharremi paralajmëron se ky lloj sjelljeje mund të çojë në përkeqësim të mëtejshëm të perceptimit publik ndaj qeverisë.
“Më mirë është me u bë i sjellshëm e me tregu respekt për tjerët kur je në pozita të tilla, se pastaj nuk të do askush. E me këtë stil e ritëm gjithashtu mundemi me kalu shpejt prej pyetjes ‘a ka albumina?’ në ‘a ka diazepam?’”