
I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, ka komentuar zhvillimet rreth Gjykatës Speciale dhe aktakuzës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Grenell tha se ka ende besim në sistemin e drejtësisë dhe u shpreh kundër çdo ndikimi politik në proces.
Ai tha se shpreson që gjykatësit të hedhin aktakuzën dhe të mos ndjekin linjën e ndjekjeve politike:
Dua të kem shpresë dhe mendje të shëndoshë se gjyqtarët do ta hedhin [aktakuzën] dhe në atë moment dua të kemi një pajtim të mirëfilltë se pse po ndodh kjo, pse po ndodhin këto ndjekje politike penale. Duhet rregullojmë këtë rrëmujë.
Grenell theksoi se kjo çështje nuk ka të bëjë me mbrojtjen e Hashim Thaçit si individ, por me mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës: Mendoj se qoftë presidentja Osmani, kryeministri Albin Kurti mund të bëjnë diçka dhe kjo nuk ka të bëjë për ta ndihmuar Hashim Thaçin, por për ta ndihmuar Kosovën. Kjo ka të bëjë me rikthimin e sovranitetit të Kosovës duke thënë se ne do t’i trajtojmë vet çështjet tona gjyqësore.
Ai shtoi se ideja fillestare ka qenë që drejtësia të merret nga gjyqtarë vendorë, e jo ndërkombëtarë.
“Askush s’po thotë që këto aktakuza të hedhen automatikisht, por kishim një vizion gjithmonë që të mos kemi një gjyqtar ndërkombëtar që gjykon, por të marrin gjyqtarë të Kosovës dhe të tregojnë se kanë një sistem gjyqësor në vend për të vënë drejtësinë në mënyrë të duhur”, ka deklaruar ai.
Në fund, Grenell iu drejtua me apel udhëheqësve të shtetit.
“Kisha bërë apel te Albin Kurti dhe presidentja Osmani që të dy të bëjnë më shumë për ta mbrojtur Kosovën, sepse një ditë është Hashim Thaçi, të nesërmen mund të jetë që të jenë ata. Ndjekjet politike janë të tmerrshme, duhet t’i refuzojmë këto dhe duhet të kemi një sistem që iu mbron nga kjo, qoftë në Amerikë, qoftë në Kosovë”, shtoi ai.