
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka ngritur akuza serioze ndaj gjyqtarit serb të Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llaban, duke thënë se ai dyshohet se është bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë (BIA) dhe ka lidhje të afërta me kriminelin e kërkuar nga autoritetet kosovare, Radoiçic.
Në një konferencë për media, Haxhiu bëri të ditur se ka dërguar një letër ish-presidentit Thaçi me kërkesën për të mos e dekretuar Llabanin si gjyqtar për shkak të së kaluarës së tij kriminale dhe informacioneve shqetësuese nga AKI-ja, që sipas saj, mjaftojnë për të refuzuar emërimin e tij.
“Ky rast besohet të jetë momenti kur BIA ka komprometuar Llabanin dhe ka organizuar zhvendosjen e tij në Kosovë”, deklaroi Haxhiu.
Haxhiu paralajmëroi gjithashtu se Serbia nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të destabilizuar Kosovën, duke përdorur agjenturën për të ndikuar në institucionet kosovare.
“Serbia historikisht ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë agjenturën për të shtrirë ndikimin në vendet fqinje, veçanërisht në Kosovë,” tha ajo.