Jeta luksoze e lidhjet me politikanë – kush është Mefail Shkodra, fajdexhiu që tronditi Gjilanin me vrasje të trefishtë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Jeta luksoze e lidhjet me politikanë – kush është Mefail Shkodra, fajdexhiu që tronditi Gjilanin me vrasje të trefishtë

    Insajderi
    10 August 2025 - 17:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjilani u trondit rëndë sot nga një krim i trefishtë që ndodhi në mesditë, rreth orës 12:32, në rrugën “Ibrahim Rugova”. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, tre persona mbetën të vrarë dhe një tjetër u plagos, shkruan Insajderi.

    I dyshuari kryesor për këtë krim të rëndë është Mefail Shkodra, një emër i njohur për Policinë e Kosovës dhe publikun, për shkak të përfshirjes së tij në veprimtari kriminale – kryesisht fajde dhe detyrim.

    Sipas Policisë së Kosovës, Shkodra ndodhet në arrati dhe njësitet relevante janë në kërkim të tij.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, deklaroi se “i dyshuari është një shtetas i Kosovës, i njohur për policinë, i cili aktualisht është në arrati”. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore dhe prokurori i shtetit, ndërsa hetimet për rrethanat e rastit vazhdojnë intensivisht.

    Shkodra po kërkohet si i dyshuar për vrasjen e tre personave. Viktimat e para të konfirmuara ishin babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani, të njohur në qytet si argjendarë.

    Ndërsa viktima e tretë, sic raporti Gazeta Insajderi është Abedin Hoxha, babai i Bujar Hoxhës, i cili është dhëndri i Selami Hasanit. Ai ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

    Motivet e kësaj ngjarje tragjihe dyshohet se kanë lidhje me një fajde.

    E kaluara kriminale e Mefail Shkodrës

    Ngjarja e sotme nuk është përplasja e parë e Mefail Shkodrës me ligjin. Në vitin 2024, ai ishte arrestuar gjatë një operacioni të gjerë të Policisë së Kosovës në tri rajone të vendit, për veprat penale të “Fajdes” dhe “Detyrimit”.

    Në atë rast, në Gjilan, u arrestua bashkë me një person tjetër, ndërsa një i tretë u shpall në kërkim. Sipas Prokurorisë së Gjilanit, dëmi financiar i shkaktuar nga grupi i dyshuar arriti në mbi 600 mijë euro. Viktimat kishin raportuar se ishin përballur me kërcënime dhe presion të vazhdueshëm për shlyerjen e borxheve me kamata të larta dhe në mënyrë të paligjshme.

    Shkodra shoqërohej me Kurtin, Osmanin e Ramën

    Përtej skenës kriminale, Mefail Shkodra ishte aktiv edhe në rrjetet sociale, ku shpesh publikonte fotografi me vetura luksoze dhe me stil jetese ekstravagante.

    Në disa prej tyre, ai shfaqej në praninë e figurave të njohura politike, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Prishtinës Përparim Ramën, e ministrin e Brendshëm Xhelal Svecla.

    Shkodra shpallet në kërkim

    Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan, Policia ka shpallur Shkodrën në kërkim dhe ka publikuar fotografinë e tij. Autoritetet i kanë bërë thirrje qytetarëve dhe mediave për bashkëpunim, duke garantuar ruajtjen e konfidencialitetit të çdo informacioni që mund të ndihmojë në lokalizimin dhe arrestimin e tij.

    “Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale Gjilan kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor, përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’, në e-mailin [email protected] ose në numrat 192 dhe 038 508 07001.”


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark