
Familjarët e njërit nga të vrarët në vrasjen e trefishtë në Gjilan njoftuan se familjari i tyre, Abedin Hoxha, do të varroset sot.
“Të dashur familjarë, miq dhe qytetarë, me dhimbje të thellë e me zemra të thyera ju njoftojmë që babai, vëllau, daja dhe familjari ynë i dashur Abedin Mehmetali Hoxha, dje, ndërroi jetë në rrethana të rënda tragjike në Gjilan. Për varrimin e tij ju njoftojmë nesër”, thuhej në njoftimin e familjes.
Qyteti i Gjilanit dje u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku tre persona u vranë si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Nga të shtënat mbetën të vdekur babë e bir, argjendarë të njohur në qytetin e Gjilanit, të cilët u ekzekutuan në një kafene afër objektit të komunës.
Pak më vonë, ndërroi jetë edhe njëri nga të plagosurit rëndë, i cili po trajtohej në Spitalin e Gjilanit, duke e çuar bilancin e viktimave në tre.
I dyshuari për rastin është Mefail Shkodra, i cili tashmë është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Në komunikatën e fundit, policia ka kërkuar ndihmë nga qytetarët nëse kanë informacione për vendndodhjen e tij.
Policia ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30.
“Ju njoftoj se sot 10.08.2025, rreth orës 12:32, dyshohet se ka ndodhur një rast vrasje dhe plagosje me armë zjarri në Gjilan, rr. Ibrahim Rugova. Në këtë rast, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e dy personave, ndërsa dyshohet se edhe dy persona të tjerë janë plagosur dhe u është ofruar ndihmë në qendrën emergjente këtu në Gjilan. I dyshuari për rastin është personi mashkull, shtetas i Kosovës, i njohur për policinë, i cili për momentin është në arrati”, kishte deklaruar për Reporteri.net zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Policia e Kosovës ka thirrur konferencë për media në orën 18:00, në ndërtesën e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.