
Vetëm tre muaj pasi kishte kurorëzuar një dashuri të re me martesë, Edmond Hasani humbi jetën në mënyrë tragjike, së bashku me babanë e tij, Selami Hasani.
Siç mëson Insajderi, Edmondi ishte martuar për herë të dytë, pas një ndarjeje nga martesa e tij e parë. Ai kishte nisur një jetë të re me bashkëshorten Njomza Grabanica, ish-drejtoreshë e Kadastrës në Komunën e Klinës. Dashuria dhe shpresa për një fillim të ri u prenë në mes nga një akt i rëndë kriminal, që tronditi opinionin publik.
Babë e bir u vranë dje në Gjilan nga persona të përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme të fajdesë.
Një person është arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa tre të dyshuar të tjerë – Mefail Shkodra (53 vjeç) dhe djemtë e tij, Edonis (25) dhe Engjull Shkodra (22) – janë shpallur në kërkim. Autoritetet apelojnë për ndihmën e qytetarëve në kapjen e tyre.
Sot, Gjilani do të përcjellë për në banesën e fundit dy viktimat e kësaj tragjedie. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në varrezat e qytetit pas namazit të ikindisë, në orën 16:40.
Një fund i dhimbshëm për Edmondin, i cili sapo kishte nisur një jetë të re, por që nuk arriti ta jetojë.