
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot rreth orës 18:20 në afërsi të urës në Komoran, në drejtimin Pejë–Prishtinë.
Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka konfirmuar se si pasojë e aksidentit një person ka humbur jetën, ndërsa 10 të tjerë kanë mbetur të lënduar. Dy prej tyre ndodhen në gjendje më të rëndë shëndetësore.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka bërë të ditur se në aksident janë përfshirë gjashtë automjete.
“Sot, më datë 11.08.2025, rreth orës 18:20, është raportuar për një aksident trafiku me gjashtë automjete të përfshira dhe persona të lënduar, i cili ka ndodhur te udhëkryqi, në afërsi të urës në Komoran, në drejtimin Pejë–Prishtinë.
Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje. Po ashtu, janë njoftuar edhe ekipet e emergjencës mjekësore dhe njësia e zjarrfikësve, të cilat kanë intervenuar për t’u ofruar ndihmën e nevojshme personave të përfshirë dhe për menaxhimin e situatës.
Policia e Kosovës po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore dhe po menaxhon trafikun në atë segment rrugor. Për detaje të tjera do të njoftoheni me kohë,” ka deklaruar Hoxha.