Tenderomania e pushtetit të LDK-së në Fushë Kosovë, çdo vit shkuan duke u rritur shkeljet - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Tenderomania e pushtetit të LDK-së në Fushë Kosovë, çdo vit shkuan duke u rritur shkeljet

    Insajderi
    14 August 2025 - 15:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një analizë e tenderëve publik të Komunës së Fushë Kosovës, një institucion për dekada i drejtuar nga pushtetarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në krye me Burim Berishën, tregon se pavarësisht vërejtjeve të dhëna nga brenda e jashtë, me auditime interrne e të përgjithshme, kjo komunë ka shkuar duke rritur numrin e shkeljeve. Insajderi sjell detaje të trendit të shkeljeve në tenderë publikë nga kjo komunë

    Gazeta Insajderi

    Në tre vitet e fundit, Komuna e Fushë Kosovës ka qenë subjekt i një sërë kritikash nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për shkelje të rënda në procesin e prokurimit publik. Raportet e auditimit për vitet 2022, 2023 dhe 2024 zbulojnë një model të përsëritur të keqmenaxhimit: nisje projektesh pa dokumentacion të plotë, kontrata të nënshkruara përtej buxhetit të miratuar, ndryshime të paligjshme në kontrata dhe pagesa për punë të papërfunduara.

    2022 – Nisje punimesh pa projekte ekzekutive

    Në vitin 2022, një nga rastet më të theksuara ishte ndërtimi i çerdhes në lagjen 028 me vlerë 49,972 euro. Auditorët konstatuan se procedura e prokurimit ishte nisur pa projekt ekzekutiv të miratuar, duke rritur rrezikun për tejkalim të kostove dhe cilësi të dobët të punimeve, shkruan Insajderi

    Një tjetër rast ishte rregullimi i rrugës “Shkupi”, me vlerë 47,550 euro, ku punimet nisën pa projekt detal dhe pa sigurimin e lejes përkatëse. Këto veprime jo vetëm që bien ndesh me ligjin për prokurim publik, por edhe hapin rrugë për abuzime financiare.

    2023 – Kriteret e tenderit dhe fondet e devijuara

    Raporti i vitit 2023 zbulon disa projekte të mëdha me probleme serioze. Më i spikaturi është ndërtimi i palestrës sportive në Sllatinë e Vogël, një projekt prej 178,472 eurosh. Fondet e këtij projekti janë përdorur për qëllime të tjera nga ato të planifikuara, pa u ndjekur procedura ligjore e transferimit të buxhetit – një shkelje e rëndë që bie ndesh me ligjin për menaxhimin e financave publike.

    Një tjetër rast është renovimi i objektit të administratës komunale, me vlerë 36,225 euro. Auditorët zbuluan se kontrata ishte ndryshuar duke tejkaluar kufirin ligjor prej 10%, gjë që është e ndaluar kategorikisht, raporton Insajderi

    Po ashtu, projekti për ndërtimin e kanalizimit fekal në Lagjen e Spitalit (29,862 euro) u dha një operatori ekonomik që nuk kishte përmbushur kriteret e vendosura në dosjen e tenderit – një shkelje që vë në pikëpyetje transparencën dhe ndershmërinë e procesit të përzgjedhjes.

    2024 – Punime të papërfunduara dhe kontrata mbi buxhet

    Viti 2024 shënoi vazhdim të problemeve, por me një dimension edhe më shqetësues: pagesa për punë të papërfunduara. Rasti më i qartë është ndërtimi i sheshit të qytetit me vlerë 94,310 euro, ku pagesa u certifikua edhe pse punimet nuk ishin përfunduar.

    rregullimin e rrugës “Dardania” (52,740 euro), auditorët konstatuan mungesë të vazhdimit të sigurisë së ekzekutimit dhe mungesë garancioni për kualitetin e punimeve – elementë thelbësorë për mbrojtjen e investimeve publike, shkruan Insajderi.

    Skandali më i madh financiar ishte ndërtimi i shkollës fillore në lagjen 029, me vlerë 248,500 euro, ku kontrata u nënshkrua për një shumë më të madhe se buxheti i paraparë. Kjo shkelje jo vetëm që është ilegale, por krijon edhe barrë të drejtpërdrejtë për buxhetin e komunës dhe taksapaguesit.

    “Komuna ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e shkollës fillore në lagjen 029, me vlerë më të madhe se buxheti i paraparë për këtë projekt. Kjo bie ndesh me nenin 26 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, i cili kërkon që të gjitha angazhimet kontraktuale të jenë brenda kufijve të buxhetit të aprovuar. Ky veprim mund të ndikojë në mospërmbushjen e projekteve tjera ose në krijimin e detyrimeve të papaguara”, thuhet në raportin e ZKA-së.

    Komuna e Fushë Kosovës në anën tjetër kishte dhenë një shpjegim, e që nuk e bindi ZKA-ne për ta ndërruar konstatimin, dhe në këtë koment thuhej se “Komuna ka theksuar se kontrata është nënshkruar në bazë të ofertës më të favorshme të pranuar dhe se për dallimin mes vlerës së kontratës dhe buxhetit të paraparë është planifikuar të sigurohen mjete shtesë nga të hyrat vetanake dhe rishikimi i buxhetit gjatë vitit”.

    Komuna e Fushë Kosovës  këtë vit nxorri edhe vendim për largimin nga puna të auditorit të brendshëm, Shyqeri Krasniqi, pasi që ai publikisht kishte denoncuar keqpërdorime, sipas tij, në këtë institucion, dhe kishte deponuar një sërë kallëzimesh penale në Prokurori. / Gazeta Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark