
Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas vendimit të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës për ta përjashtuar nga lista e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Lladrovci ka njoftuar se në këto zgjedhje do të garojë me subjektin e tij politik të quajtur “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin.”
Ai ka bërë të ditur se para dy muajsh kishte zhvilluar një takim me kryetarin e PDK-së, ku, sipas tij, i ishte kërkuar të largohej nga pozita për t’ia lënë vendin një kandidati të ri të partisë.
Lladrovci tha se kjo kërkesë ishte bërë pa ndonjë sqarim të qartë apo arsyetim politik.
“Unë e kom pas një takim me të para dy muajve dhe më ka kërkuar që të lë pozitën për një anëtar të ri të Partisë Demokratike, pa një sqarim. Edhe kur kam kërkuar, PDK-ja në të gjitha etapat i ka kandiduar gjithmonë kryetarët e zgjedhur që kanë qeverisur, i ka rikandiduar, dhe ka thënë jo – duhet se ju keni kërku vetëm dy mandate dhe gjëra të tjera. Na e kemi parë edhe udhëzimin dhe vendimin që nxirret nga rregullorja e kryesisë, por që nuk lejon anëtarët të vendosin në mënyrë demokratike për kryetarin e qytetit”, tha Lladrovci.
Ai gjithashtu ka sqaruar arsyet e krijimit të subjektit të tij dhe zgjedhjen e emrit.
“Unë edhe emrin e subjektit e kam lënë ashtu siç është kërkuar nga qytetarët. Nuk jam dakord që qytetarët të lihen në dorën e dikujt i cili nuk ka qeverisur dhe është vegël i dikujt tjetër”, shtoi Lladrovci.