
Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, i ka dërguar një letër personale presidentit rus, Vladimir Putin, duke ngritur shqetësimin për fatin e fëmijëve të prekur nga lufta në Ukrainë dhe Rusi, konfirmuan dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.
Letra iu dorëzua Putinit personalisht nga presidenti Donald Trump gjatë takimit të tyre në Alaskë, sipas burimeve. Melania Trump, e lindur në Slloveni, nuk ishte pjesë e delegacionit në këtë udhëtim.
Zyrtarët nuk zbuluan përmbajtjen e plotë të letrës, por thanë se ajo përmendte rrëmbimin e fëmijëve si pasojë e luftës në Ukrainë – një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme për Kievin.
Ukraina ka akuzuar Rusinë për rrëmbimin e dhjetëra mijëra fëmijëve, të cilët janë dërguar në territor rus apo në zona të pushtuara nga Rusia pa pëlqimin e familjarëve apo kujdestarëve ligjorë, duke e cilësuar këtë akt si krim lufte që përmbush përkufizimin e gjenocidit sipas konventave të OKB-së.
Moska ka deklaruar më herët se veprimet e saj kanë për qëllim “mbrojtjen e fëmijëve të pambrojtur nga zona lufte”.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka raportuar se Rusia ka shkaktuar vuajtje të mëdha për miliona fëmijë ukrainas dhe ka shkelur të drejtat e tyre që prej nisjes së pushtimit të plotë në vitin 2022.
Takimi mes Trump dhe Putin zgjati gati tre orë në një bazë ushtarake amerikane në Anchorage, Alaska, por nuk u arrit asnjë marrëveshje për armëpushim në konfliktin në Ukrainë.