Përplasja për ndalesën te Xhamia e Llapit -Komuna e Prishtinës: Nuk do të lejohet anashkalimi i stacionit të autobusëve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Përplasja për ndalesën te Xhamia e Llapit -Komuna e Prishtinës: Nuk do të lejohet anashkalimi i stacionit të autobusëve

    Insajderi
    17 August 2025 - 14:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.


    Komuna e Prishtinës ka reaguar pas njoftimeve se disa kompani autobusësh që operojnë në linjën Prishtinë-Podujevë planifikojnë të bëjnë kthimin nga Xhamia e Llapit. Sipas Komunës, kjo përbën një shkelje të qartë të rregullave komunale dhe të marrëveshjes së arritur ndërmjet palëve.

    Komuna thekson se marrëveshja me kompanitë e transportit nuk ka qenë e njëanshme, por rezultat i një procesi shumëpalësh, ku kanë marrë pjesë: Komuna e Prishtinës, Komuna e Podujevës, Ministria e Planifikimit të Mjedisit dhe Hapësinor (MPMH), si dhe Shoqata e Operatorëve të Transportit.

    “Raportimet e fundit që tregojnë se disa operatorë nga Podujeva synojnë të anashkalojnë Stacionin e Autobusëve të Prishtinës dhe të ndalojnë në Xhaminë e Llapit janë shqetësuese dhe përbëjnë shkelje të qartë të rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë,” thuhet në deklaratën e Komunës.

    Komuna paralajmëron se veprime të tilla nuk do të tolerohen dhe do të ndërmerren masa të nevojshme ligjore dhe administrative për ta parandaluar këtë praktikë.

    “Theksojmë se veprime të tilla nuk do të lejohen. Komuna do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe administrative të nevojshme për të siguruar që të gjithë autobusët ndërurbanë, pa përjashtim, të ndalojnë në Stacionin zyrtar të Autobusëve në Prishtinë për marrjen dhe lëshimin e udhëtarëve. Ndalimet e paautorizuara brenda qendrës së qytetit paraqesin rrezik për sigurinë në trafik, rendin publik dhe planifikimin urban të transportit,” thuhet më tej.

    Komuna nënvizon se qendra e Prishtinës nuk mund të akomodojë transport ndërurban, për shkak të fluksit në rritje të mjeteve, zhvillimit urban dhe nevojës për menaxhim të qëndrueshëm të hapësirës publike.

    Po ashtu, Komuna i bën thirrje MPMH-së që të rishikojë dhe të revokojë licencat e operatorëve që nuk respektojnë itinerarin dhe pikën fillestare të nisjes.

    “Rikujtojmë se MPMH duhet të rishikojë dhe revokojë të gjitha licencat e operatorëve që nuk respektojnë itinerarin dhe pikën fillestare të nisjes, e cila është dhe mbetet Stacioni i Autobusëve i Prishtinës. Mosrespektimi i këtij detyrimi e bën të pavlefshme licencën për operim,” thuhet në reagim.

    Në fund, Komuna kujton se Komuna e Podujevës ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare në lidhje me draft-marrëveshjen e përbashkët. Kjo, sipas tyre, e bën edhe më të domosdoshëm respektimin e rregullave aktuale dhe marrëveshjes së përkohshme.

    “I bëjmë thirrje të gjithë operatorëve të transportit që të respektojnë rregullat dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive. Komuna e Prishtinës mbetet e hapur për dialog, por do të veprojë me vendosmëri për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të ruajtur rendin në transportin publik,” përfundon deklarata.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark