
Një djalë dyvjeçar që ishte larguar nga prindërit në plazhin e Velipojës është gjetur shëndoshë e mirë, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë së Shtetit.
Salla Operative e Stacionit të Policisë në Velipojë u njoftua nga një familje pushuese se djali i tyre i mitur ishte zhdukur dhe nuk po mund ta gjenin.
Pas marrjes së informacionit, njësitë policore u angazhuan menjëherë në kërkime intensive përgjatë zonës së plazhit. Fatmirësisht, dyvjeçari u gjet shëndoshë e mirë dhe iu dorëzua familjes nga punonjësit e policisë.
Prindërit falënderuan zyrtarët për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e treguar.
Policia e Shtetit apelon për më shumë kujdes nga prindërit dhe familjet, sidomos në zona të mbipopulluara siç janë plazhet gjatë sezonit veror.