
Policia e Kosovës po e heton një vdekje të dyshimtë, të zbuluar në mëngjesin e së hënës në Zveçan.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e policisë, D.F., 77-vjeçar, u gjet i varur në rrethoja metali të shtëpisë, pa shenja jete, në rrugën “Mbreti Petar” në Zveçan, shkruan Insajderi.
“Me datën 18.08.2025, rreth orës 06:30, policia në Zveçan ka pranuar një informacion për një person që dyshohej se ishte pa shenja jete në rrugën “Mbreti Petar”, në Zveçan. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë vërejtur se personi me inicialet D.F., 77 vjeç, ishte gjetur i varur në disa rrethoja metali (grila) të cilat shërbenin si rrethoj e një shtëpie”, thuhet në njoftim.
“Në lidhje me rastin, stafi mjekësor emergjent ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar vdekjen e viktimës. Njësitet përkatës policore janë duke hetuar rrethanat e vdekjes”.
“Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa trupi i pajetë, me urdhër të Prokurorit, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, përfundon njoftimi. /Insajderi.org/